E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshje me Belgjikën për sigurimet e emigrantëve

Kjo do të bëjë t mundur që 10 mijë shtetas shqiptarë, të cilët kanë punuar dhe kanë paguar kontribute në të dy vendet, të mund të përfitojnë marrjen e pensionit të pleqërisë, duke e tërhequr atë në vendin që kanë vendosur të jetojnë. 

Zv/ministrja e Punës, Filloreta Kodra, bëri të ditur se në kuadër të detyrimeve që burojnë nga programi i Qeverisë, Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit BE-Shqiperi dhe Plani i Zbatimit të saj, po intensifikohen përpjekjet për nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe në fushën e mbrojtjes shoqërore. "Marrëveshja me Mbretërinë e Belgjikës përfshin fushën e sigurimeve shoqërore  dhe shëndetësore", tha Kodra, duke bërë të ditur se marrëveshja do të nënshkruhet brenda këtij viti, por hyrja në fuqi e saj është e kushtëzuar sipas kushteve të krijuar në secilin vend. Sipas saj, marrëveshja ndihmon shumë shtetasit shqiptarë dhe belgët,  të cilët kanë një periudhë sigurimi në Shqipëri  dhe Belgjikë.

Janë rreth 10 mijë shtetas shqiptarë, që punojnë në Mbretërinë e Belgjikës, të cilët me këtë marrëveshje përfitojnë të gjithë periudhën e sigurimit që kanë punuar në Shqipëri dhe Belgjikë, "që do të thotë që me t'u lindur e drejta për të marrë pension, atyre u bashkohen të dyja periudhat e sigurimit dhe përfitojnë pension të plotë, gjë që ishte e pamundur pa një marrëveshje të tillë. Edhe në fushën e sigurimeve shëndetësore, të gjithë shtetasit që punojnë dhe jetojnë në Belgjikë, kanë të njëjtat të drejta si shtetasit belgë", tha Kodra. Emigrantët shqiptarë sot në botë vlerësohet se përbëjnë rreth 27,5 % të popullsisë së përgjithshme dhe 35% të popullsisë aktive. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-06-30 14:25
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›