E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Presidenti i ri, garantues i ekuilibrave dhe pavarësisë së institucioneve

Share

Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot paradite një takim me Grupin Parlamentar për Marrëdhëniet e Gjermanisë me shtetet e Evropës Juglindore, të kryesuar nga Peter Vajs dhe anëtarët Kristel Apah-Kasan dhe Andreas Lamel, të cilët po zhvillojnë një vizitë informuese në Ballkanin Perëndimor: në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë.

Kreu i Shtetit bëri një përshkrim të detajuar të zhvillimeve e të reformave të ndërmarra në Shqipëri, në drejtim të forcimit të demokracisë e shtetit ligjor, sidomos aktualisht, gjatë procesit të përmbushjes së kritereve të kërkuara integruese për në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, presidenti Topi theksoi se një rol kyç gjatë gjithë këtij procesi luan edhe institucioni legjislativ dhe veprimtaria e tij parlamentare, sidomos aktualisht gjatë synimeve për realizimin e reformës zgjedhore, reformës parlamentare dhe zgjedhjes së Kreut të ri të Shtetit nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent për ti dhënë vendit garantuesin e ekuilibrave dhe të pavrësisë së institucioneve kushtetuese.

Në vlerësim të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë, Topi vuri në pah rëndësinë e thellimit dhe forcimit të mëtejshëm të tyre në fusha të ndryshme, duke shprehur falënderime për mbështetjen e pandërprerë dhe të fuqishme të Gjermanisë në rrugëtimin integrues të Shqipërisë, si dhe të rajonit ballkanik, në strukturat evropiane. Me këtë rast, Kreu i Shtetit theksoi vendosmërinë e madhe dhe seriozitetin që shteti shqiptar do të tregojë në rrugën drejt integrimit në Bashkimit Evropian, për të fituar sa më parë statusin kandidat për anëtarësim.

Gjithashtu, Presidenti Topi shprehu besimin se miqësia, partneriteti strategjik dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për konsolidimin e demokracisë, edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›