E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Reformat të mos jenë peng i politikës

PRESIDENTI NE KLD

Kreu i Shteti iu kërkoi përfaqësuesve të politikës të shpejtojnë miratimin e reformave dhe ligjeve për të cilat kërkohen 84 votat në parlament


"Ju siguroj që institucioni i Presidentit nuk mund të mbetet i varur nga vullnete të politikës për çështje të caktuara"


TIRANË- Presidenti i Republikës, njëherazi edhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi, përsëriti apelin ndaj subjekteve politike, duke kërkuar miratimin e reformave në drejtësi përtej debatit politik të ditës, duke njoftuar gjithashtu se institucioni që ai drejton nuk do të mbetet i varur nga vullnetet e politikës, për çështje të rëndësishme.


Gjatë takimit të djeshëm me të gjithë krerët e gjykatave, Presidenti Topi dërgoi një mesazh në adresë të subjekteve të politikës e gjyqtarëve, për të kontribuar për të mirën e vendit, në prag të vendimit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. "Shqipëria ka nevojë për vazhdimin e reformës në drejtësi. Termi reformë është mjaft i rëndësishëm, por ka një rëndësi substanciale kur bëhet fjalë për drejtësinë.


Është diskutuar për çështjet e Konferencës Gjyqësore, është diskutuar për çështjet e Gjykatës Administrative, është diskutuar vazhdimisht edhe për nevojën e profilizimit të Gjykatës së të Miturve, është diskutuar për funksionalitetin mbi bazat e ligjshmërisë të KLD-së.


Herë pas here është shprehur edhe shqetësimi që në disa raste janë konsideruar jo paraliza, por pareza në punën e këtij Këshilli për shkak të disa impaseve (ngërçeve) që janë krijuar për çështjet e ligjshmërisë,- tha Presidenti.


Më tej ai i bëri thirrje, që sipas tij ishte e përsëritur, kundrejt politikës dhe legjislativit që të shkonte përtej debatit të ditës. Sipas tij, integrimi i vendit, procesi i shumëdëshiruar i lëvizjes së lirë të njerëzve është i varur në mënyrë të veçantë nga reformat dhe sidomos reformat në fushën e drejtësisë.


Ne vazhdimisht jemi të orientuar për ta përmendur numrin e nevojshëm të cilësuar 84, që mund të quhet numri magjik i disa ligjeve shumë të rëndësishme, që realizohen në Parlament, por kjo kërkon patjetër një vullnet i cili duhet të shprehet",-tha kreu i shtetit, para krerëve të gjykatave dhe anëtarëve të KLD-së. Më tej Presidenti tha se institucioni i tij nuk do të vazhdojë të jetë më në pritje të vullneteve partiake për disa vendime që duhej t'i kishte marrë kohë më parë.


"Unë duke respektuar edhe nevojën që Parlamenti të bëjë zgjedhje me praninë e të gjithë anëtarëve të tij, disa procedura të cilat duhet t'i kisha realizuar prej kohësh, i kam mbajtur, nuk i kam paraqitur, por ju siguroj që institucioni i Presidentit nuk mund të mbesë dipendent (varur) i vullneteve politike për çështje të caktuara"-tha Topi.


Në fund të fjalës së tij drejtuar faktorit të politik, kreu i shtetit, iu kërkoi subjekteve të bashkëpunojnë për të kapërcyer situatën e ngërçit.


"Partitë politike kanë të drejtën e plotë për sjelljen e tyre politike, por unë bëj edhe një herë apel që qëndrimet politike janë vërtet ekskluzivitet i subjekteve politike, por janë disa ligje të qenësishme, mjaft të rëndësishme për vendin, të cilat domosdoshmërisht, për shkak të asaj që trajton Kushtetuta, duhet patjetër një lloj bashkëpunimi për të dalë nga kjo situatë ku disa struktura të drejtësisë patjetër që kanë ngelur kështu"- pohoi Presidenti Topi.


Në fund, kryetari i KLD-së, Topi, përgëzoi sistemin e Drejtësisë, që sipas tij përpos problemeve të shumta, gjatë vitit 2009 pati progres, por, duke pranuar se ky sistem është i varur nga disa vullnete politike, duke parë ngecjen e disa ligjeve shumë të rëndësishme të pa miratuar.


Spahiu:
Gjyqtarët me dy standarde për një çështje


TIRANË- Edhe zv/ kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z.Kreshnik Spahiu, në fjalën e tij para drejtuesve të Gjykatave të Rrethit dhe të Apelit, renditi një sërë problemesh të konstatuara nga analizat vjetore të këtyre institucioneve të zhvilluara gjatë muajit shkurt.


Sipas zv/kryetarit të KLD-së, Spahiu gjatë turit një mujor në të 29 Gjykatat e Shkallës së Parë dhe atë të Apelit në vend, janë konstatuar vendime të dhëna nga trupat gjyqësore me dy standarde.


"Aplikohen standarde të dyfishta ndaj rasteve analoge nga Gjykatat e Apeleve në Vlorë, Shkodër, Durrës, që cenojnë cilësinë e gjykimit, pasi: njëherë vendosin në një mënyrë të caktuar dhe pastaj për situata identike ndryshojnë mendje",-theksoi Spahiu, duke nënvizuar se ka probleme edhe në aplikimin e politikave penale.


"Politika e dënimit penal është më e rëndë, në disa raste edhe maksimale kur i dënuari është gjykuar në mungesë ndërsa në rastet me të arrestuar për të njëjtën vepër penale vendimi jepet në minimumin e parashikuar në ligj",-sqaroi Spahiu, duke i kërkuar mbajtjen e një qëndrimi.


Ndërkohë, nga ana tjetër, zv/kryetari i KLD-së shpjegoi se gjatë vitit 2009, gjykatat kanë rritur shpejtësinë e gjykimit edhe pse ka çështje të mbartura nga vitet e mëparshme.


Anëtarët e KLD-së

Kërkojnë ndryshime Penale dhe në Gjykatën e Lartë


Në takimin e djeshëm mes kryetarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, disa nga anëtarët e këtij institucioni kanë lëshuar akuza në adresë të gjyqtarëve në vend.


Anëtari i këshillit, Neshat Fana, në fjalën e tij lëshoi akuza të rënda në adresë të trupës gjyqësore në vend, duke i cilësuar si pa personalitet dhe të paaftë për të zgjidhur problemet e tyre.


"Të gjithë trupës gjyqësore të sistemit të drejtësisë i mungon personaliteti. Pasi jeni të përçarë dhe të paaftët për tu mbledhur së bashku dhe për të diskutuar problemet që ka gjyqësori. Përçarja mes jush i leverdis politikës, e cila fërkon duart nga ky mos rakordim i juaji.


Jeni të paaftë për të mbledhur Konferencën Gjyqësore Kombëtare në zbatim të Kushtetutës dhe prisni nga politika, edhe pse këta të fundit pak muaj më parë ju lajmëruan se nuk e miratojnë ligjin dhe ju bëni ç'të doni",-tha Fana, duke lëshuar edhe akuza në drejtim të kryetares së Gjykatës së Lartë për mos prezencën në këtë takim dhe mos marrjen pjesë të saj në mbledhjet e KLD-së.


Gjithashtu, në këtë mendje ishte edhe gjyqtari Hysni Demiraj njëkohësisht anëtar i KLD-së, i cili e cilësoi Gjykatën e Lartë si tërësisht politike. "Gjykata e Lartë sot është tërësisht politike dhe në shërbim të politikës. Duhet ndryshuar ligji Kushtetues për emërimet në këtë institucion.


Gjithashtu, duhet ndryshuar edhe neni për aplikimin e gjykimeve të shkurtuara, pasi nuk mund të përfitojë ulje dënimi një person që kryen disa vrasje"-tha Demiraj, duke ngritur shqetësimin e politikave penale në dhënien e dënimit me dy standarde, për ata që janë të arrestuar me minimumin e dënimit dhe për ata që janë në mungesë maksimumin e dënimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›