E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adriatik Llalla: Janë mbyllur dosje që janë çuar për ndjekjen e hetimeve

21-07-2011 / Gazeta 55

ILDKP, kritika Prokurorisë

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë akuzon prokurorinë se nuk heton dosjet që i dërgon mbi zyrtarët e dyshimtë. Në raportimin vjetor te Komisioni i Ligjeve, kryeinspektori Adriatik Llalla, deklaron se ndonëse çështjet janë të ngjashme, një pjesë e tyre çohen në gjykatë nga organi akuzës, ndërsa të tjera pushohen pa motiv.
“Të gjitha rastet e dërguara prej nesh janë të bazuara në prova dhe gjykohen. Në vlerësimin tonë të gjitha vendimet e marra nga organi procedurës për pushimin e këtyre rasteve janë të pabazuara. E kemi ankimuar së pari rastin në zyrën e prokurorit të përgjithshëm dhe më pas në gjykatë çështje të tilla nëse futen në rrugën e gjykimit apo të ankimimit zakonisht shkojnë në periudha shtatë- tetë mujore apo një vjeçare”, u shpreh Llalla.
Sipas tij, nga 18 kallëzime penale që ILDKP ka depozituar në organin e akuzës, 7 prej tyre janë pushuar po aq kanë kaluar gjykatës ndërsa 4 të tjera janë ende në proces gjykimi.
“Në Prokurori nuk kryhet asnjë veprim tjetër hetimor, aq më tepër që bëhet vetëm kontrolli i veprimeve tona se si është kryer procesi investigues prej nesh. Hetimi nuk zgjerohet për mënyrën se si subjekti ka krijuar të ardhurat, mënyrën, shtrirjen”, tha Llalla.
Nga ana tjetër të kontaktuar në telefon, zyrtare të prokurorisë, mohojnë të kenë pushuar ndonjë dosje të ILKDP-së. Organi akuzës bën me dije se nuk mund të ndërhyjë në punën e Inspektoriatit, ndërkohë që shton se është në pritje të dosjeve të tjera.
Gjatë 2010-së ILKDP ka gjobitur 23 zyrtarë, ndërsa thekson nevojën e ndërhyrjes në kodin penal, pasi në këtë formë të ligjit i ka duart e lidhura. Shqetësimin e tij për mbylljen e dosjeve të hetimit nga ana e Prokurorisë, Llalla e ka shprehur edhe pak ditë më parë përmes një interviste për programin në shqip të “Zëri i Amerikës”.
Kreu i ILDKP-së shprehu se prokuroria ka hedhur poshtë pa arsye disa hetime të zyrtarëve nga Inspektoriati i Pasurive.
“Pothuajse të gjitha rastet ose një pjesë e madhe e rasteve që ne dërgojmë pranë këtij institucioni nuk ndiqen me seriozitetin e duhur. Çështjet ose zvarriten me qëllim që ato të humbasin aktualitetin e tyre, ose pushohen në mënyrë të pajustifikueshme. Ne kemi ndjekur më pas rrugën ligjore duke ankimuar këto raste si pranë prokurorit të përgjithshëm dhe nëpër gjykata, por sërish prej tyre nuk ka pasur angazhim për ndjekjen e këtyre rasteve dhe çuarjen e këtyre zyrtarëve që janë konstatuar me shkelje ligjore përpara përgjegjësisë ligjore, pra ndëshkimin e tyre në përputhje me krimin që kanë kryer”, tha pak ditë më parë, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla.
Gjatë prezantimit të raportit, zoti Llalla tha se rezultatet për 2010 janë pozitive; gjatë vitit të kaluar janë dhënë interpretime për trajtim dhe zgjidhje të rasteve konkrete, në 195 raste të dyshuara si në konflikt interesi. Krahas rolit parandalues, Inspektorati i Lartë ka ushtruar dhe kompetencat e tij ndëshkuese, duke përmendur këtu aplikimin e masës administrative “gjobë” për 23 zyrtarë, të cilët janë gjendur në kushtet e konfliktit të interesave, ndër të cilët në ish-ministra, zyrtarë të pushtetit vendor e të administratës tatimore e doganore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›