Thaçi: Kam pasur kënaqësinë të punoj me Rugovën

Kryetari i PDK-së dhe kryeministër i vendit, Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga zëvendësi i tij Hajredin Kuçi, kanë bërë të premten homazhe dhe janë përkulur tek varri i ish- presidentit dhe ish- kreut të LDK-së, Ibrahim Rugova.
Me këtë rast, lideri i PDK-së e ka vlerësuar lartë figurën e Rugovës në bërjen e Kosovës së pavarur dhe të lirë, ndërsa shprehu kënaqësinë që ka pasur fatit të punojë me ish presidentin në kohë të rëndësishme për Kosovën.
“Jemi sot këtu për të bërë nderime shtetërore për presidentin Ibrahim Rugova me të cilin kam pasur kënaqësinë të punojë në një kohë gjatë dhe të rëndësishme në procesin e vendimmarrjeve më gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe ndërtimin e rendit demokratik në Kosovë, pra në procesin e vendimmarrjeve edhe ndërkombëtare qoftë ne Rambuje edhe pas Rambujesë, si dhe vizita të ndryshme diplomatike qoftë në Uashington dhe Bruksel, apo edhe në kryeqytete tjera. Pra ne po ndërtojmë sot shtetin e Kosovës, por edhe po e krijojmë traditën tonë shtetërore të respektimit dhe vlerësimit tonë për personalitetet e rëndësishme për bërjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur dhe një nga ato personalitete ka qenë edhe presidenti Ibrahim Rugova” është shprehur ai.
Me rastin e pesëvjetorit të vdekjes së ish presidentit Ibrahim Rugova, gjatë ditës së premte janë mbajtur dy akademi përkujtimore. Njëra është organizuar nga Zyra e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, kurse tjetra është organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. (KosovaPress)