E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha për SHBA: Jemi vend i lirë

 

ADI SHKEMBI

Pak orë para diskutimit në Parlament të ligjit të Dosjeve, Kryeministri Berisha iu përgjigj të gjithë skeptikëve të tij. vDuke shfrytëzuar mble-dhjen e radhës së grupit parlamentar të PD-së, kreu i qeverisë tha se Shqipëria është vend sovran dhe ligji, që do të miratohet do të jetë brenda standardeve të kërkuara. "Ne jemi një vend i lirë, vend demokratik dhe ne nuk bëjmë asnjë hap jashtë standardeve, në mënyrë kategorike. Për fatin tonë të madh, ekziston në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, këtij institucioni suprem i Evropës për liritë dhe të drejtat, një praktikë dhe një teori aq e gjerë, saqë nuk le asnjë shkas për mungesë transparence", u shpreh Berisha. Duke u ndalur tek përfaqësuesit e drejtësisë, që rezultojnë me dosje në të kaluarën dhe që do të jenë subjekt i ligjit të ri, kreu i qeverisë u shpreh se "unë nuk i bëj aspak përgjegjës ata për "malin" e kockave dhe shpirtrave të pafajshëm, por këta janë të implikuar dhe kanë mbetur atëherë si simbol. Secili prej tyre ka raste të implikimit dhe kanë pasur fatin e keq në diktaturë të kryejnë krimet që kanë kryer, kanë pasur fatin e keq sot të gjenden simbol i krimeve të komunizmit. Nuk ka as burg, as hakmarrje. Këta janë një grup i vogël njerëzish të lidhur me akte varje njerëzish, me tela me gjemba e të zvarritur në qytete". Sipas kryeministrit pas miratimit të ligjit, gjithkush ka të drejtë t'i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për ligjshmërinë e tij. Por sipas kreut të qeverisë, në shumicën e rasteve të mëparshme pretendimet për ilegjitimitetin e këtij tij, janë rrëzuar. "Ne në këtë çështje do të kemi për bibël vendimet, qëndrimet e Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut, të Strasburgut. Thuhet që nuk ka të drejtë apeli, por jo, çdo njeri ka të drejtë apeli. Gjykata nuk ka trajtuar asnjëherë në themel ligjet, por në një pjesë të mirë të rasteve që janë ankuar, ajo ka gjykuar në disfavor të tyre, ka gjykuar se vërtetë kanë kufizuar të drejtën, por mund të kufizohet e drejta për atë që ke bërë", u shpreh më tej Berisha. Në mbledhjen e grupit kreu i qeverisë theksoi se miratimi i ligjit shënon në të njëjtën kohë edhe dhënien fund ndaj akuzave për deputetët lidhur me të shkuarën e tyre. Sipas Berishës vetëm akuzat e socialistëve ndaj ministrave të PD-së për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit në të kaluarën, është argument i mjaftueshëm për miratimin e ligjit. "Vetëm kjo do të ishte e mjaftueshme për mua për të marrë vendimin. Lustracioni këtë moral ka. Të gjitha gjykatat Kushtetuese thonë se ka dy probleme, së pari, tjetri të mban peng dhe të manipulon, në qoftë se ke lidhje kriminale. Së dyti, të gjitha gjykatat Kushtetuese, por edhe ajo e Strasburgut, thonë se në qoftë se je në një karrige, duhet të kesh integritetin për të pasur besueshmëri", theksoi më tej kreu i qeverisë. Në fund ai shtoi se miratimi i ligjit në Kuvend përmbush një nga detyrimet më të mëdha morale, që ka shteti ndaj të persekutuarve të regjimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›