Topi: Të jemi bashkë për gjëra të mëdha

Kreu i shtetit Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi vizituan sot në Festën e Sulltan Novruzit, Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ku u mikpritën nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi.
“Së pari dëshiroj të përshëndes këtë ditë të bekuar, jo vetëm për besimtarët bektashinj, por besoj për të gjithë popullin! Kjo është një degë e një feje mjaft paqësore. Unë do të doja këtu para jush, të vlerësoj rolin e bektashizmit, me institucionet e veta, me të gjithë patriotët, të cilët i kanë dhënë dritë historisë së Shqipërisë!” theksoi Topi.
Ai gjithashtu i bëri thirrje palëve për dialog duke shtuar se në këtë ditë të bekuar duke qenë bashkë për gjëra të mëdha, atëherë Shqipëria do të jetë më shpejt në Evropë.
“Unë dëshiroj që kjo ditë të jetë vërtetë e bekuar për të gjithë shqiptarët! Sikurse vjen mesazhi nga feja për harmoni, për komunikim njerëzor, këtë parim dhe këtë tipar themelor të humanizmit, duhet ta kenë të gjithë, pa përjashtim! Duke qenë bashkë, duke qenë në unitet me njëri-tjetrin për çështje të mëdha, sepse diversiteti i jetës patjetër që të jep mundësinë të jesh ndryshe nga tjetri, por duke qenë bashkë për gjëra të mëdha, atëherë Shqipëria do të jetë më shpejt në Evropë. Urimet më të mira edhe për ju dhe për të gjithë besimtarët!”theksoi Topi.