Kosovë: Pritet evakuimi i 19 shtetasve të parë nga Jemeni

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, pas përkeqësimit të gjendjes së sigurisë në Jemen do të evakuojë 19 shtetasit e parë brenda kësaj jave nga ky shtet.
MPJ përmes një njoftimi për shtyp njoftoi se shumica e të evakuarve janë studentë, ndërsa Shtabi i Krizave në kuadër të MPJ-së është në kontakt të vazhdueshëm edhe me shtetasit e tjerë. MPJ ka kërkuar nga të gjithë shtetasit kosovarë që të mos udhëtojnë për në Jemen, ndërsa ata që gjenden atje të largohen nga zonat e rrezikut.
“Në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës në Jemen, Republika e Kosovës ka marrë mbështetjen edhe të Republikës së Turqisë për evakuim emergjent të shtetasve kosovarë nga Jemeni bashkë me shtetasit e Turqisë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, falë bashkëpunimit me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Ambasadës në Turqi, MPJ ka bërë identifikimin e shtetasve kosovarë edhe në Siri, ku ditëve të fundit ka pasur përkeqësim të gjendjes të sigurisë.
“Edhe në këtë shtet, MPJ ka identifikuar mbi 25 shtetas kosovarë, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm. MPJ do të bëjë evakuimin edhe të këtyre shtetasve”, thuhet në njoftim.