Votat e pavlefshme, “beteja” mund të zhvendoset tek Kolegji

Diferenca e votave të fitores mes kandidatëve Basha e Rama për Tiranën pritet të jetë e ngushtë çka duket se do të sjellë në plan të parë rolin e votave të pavlefshme duke zhvendosur betejën në KQZ dhe Kolegjin zgjedhor.
Sipas të dhënave të KQZ-së në të njëmbëdhjetë njësitë bashkiake të kryeqytetit rezulton se numri i votave të pavfleshme është 6210, ndërkohë që në total, janë rreth 18 mijë vota.
Po të kemi si referencë kodin e vjetër zgjedhor për garën e 8 majit do mund të thoshim se beteja Basha- Rama do të zhvillohet pikërisht për këto vota të pavlefshme.
Sipas këtij kodi, kur diferenca mes dy kandidatëve ishte më e vogël se numri i votave të pavlefshme, njëri prej garuesve kishte të drejtë t`i drejtohej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rivlerësimin e këtyre votave.
Kodi i ri nuk e parashikon këtë mundësi por ka lënë një tjetër hapësirë për votat e pavlefshme. Nëse në një KZAZ ku janë numëruar fletët e votimit rezulton se ka një numër votash të kontestueshme, megjithëse ato janë llogaritur për njërin kandidat, kandidati tjetër mund t`i drejtohet Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve brenda tri ditësh për t`i rivlerësuar ato vota.
Në nenin 117 të Kodit zgjedhor parashikohet se vota është e pavlefshme kur fletës së votimit i mungojnë vulat në fletën e votimit janë bërë shënime apo shenja që e bëjnë të pamundur vlerësimin e votës apo kur është votuar për më shumë se një nga subjektet zgjedhore apo nuk është votuar për asnjë nga subjektet.