E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Të respektojmë diversitetin ndërfetar

12/12/2011  Presidenti i Republikës në samitin e katërt të Aleancës së Qytetërimeve

“Shqiptarët e kanë ndërtuar historinë e tyre duke përvetësuar besime dhe kultura të ndryshme”

KATAR - Presidenti i republikës Bamir Topi, ka qenë i pranishëm në samitin e katërt botëror të Aleancës së Qytetërimeve me ftesë të emirit të Katarit. Në fjalën e tij përshëndetëse deklaroi se shqiptarët janë një popull që e ka ndërtuar historinë e vet duke përvetësuar besime dhe kultura të ndryshme. “Ne jemi një popull që ka ndërtuar historinë e vet nëpërmjet një rrugëtimi të gjatë përvetësimi besimesh apo kulturash të ndryshme që prej paganizmit e deri në ditët tona, rrugëtim që e pasuroi brez pas brezi identitetin shqiptar e që bëri të mundur përjetësimin e tij në fjalët e vyera të rilindësit shqiptar Vaso Pasha: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, - theksoi Presidenti Topi. Forumi i katërt i Aleancës së Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara, që po mbahet në kryeqytetin Doha më 11–13 dhjetor, është vlerësuar nga kreu i shtetit si një mundësi e çmuar për të shkëmbyer ide mbi të ardhmen e popujve në një moment kyç të historisë. Sipas Presidentit Topi, është detyra jonë të kuptojmë forcat që udhëhoqën ndryshimin me emrin “Pranvera Arabe”, por që tashmë, siç u shpreh, ai i kaloi kufijtë e pranverës. “Ne duhet të marrim masa që t’i përgjigjemi këtij ndryshimi, në mënyrë që të sigurojmë përparimin dhe zhvillimin e shoqërive tona nëpërmjet respektit të diversitetit dhe kuriozitetit për të renë”, - theksoi Topi. Sipas njoftimit të Presidencës, duke shprehur bindjen se diversiteti kulturor e fetar do të jenë guri i themelit për një paqe të qëndrueshme e për një të ardhme të begatë në botë, Topi tha se “vlerat universale të bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë duhet të jenë kryefjala e jetës”. “Aktualisht Shqipëria ka ngritur gjithë infrastrukturën e duhur për vënien në zbatim të qëllimeve të Aleancës. Ajo ka miratuar Strategjinë e Dialogut Ndërkulturor, planin dyvjeçar të veprimit si dhe ka ngritur një komitet ndërdikasterial për ecurinë e këtyre dokumenteve themelore, që synon mirëkuptimin mes popujve, të mbështesin dialogun mes civilizimeve, në mënyrë që të përkrahë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të arritur paqen, sigurinë dhe partneritetin botëror”, - përfundoi fjalën e tij kreu i shtetit shqiptar Bamir Topi.

Pjesëmarrja e grave

“Programet e kualifikimit e shkëmbimit për të rinjtë dhe gratë do të përbënin mundësi shumë të mira për të kanalizuar forcën e tyre energjike në angazhime kontribuuese në komunitet, çka skalit përgjegjësinë dhe përgatitjen e tyre për shoqërinë në të ardhmen”, – tha Presidenti Topi në fjalën e tij të mbajtur në punimet e Aleancës së Qytetërimeve.

Diversiteti fetar

Gjatë fjalës së tij, të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i shtetit tha se shqiptarët janë krenarë për historinë e kulturën e lashtë të Shqipërisë si dhe për traditën shekullore të harmonisë dhe mirëkuptimit të plotë ndërmjet katër feve kryesore të vendit tonë. “Këto monumente shpirtërore ndërfetare mund të ekzistojë vetëm mbi bazën e respektit për diversitetin”, – tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›