E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Të rritet bashkëpunimi institucional për të luftuar korrupsionin

Presidenti Topi pret Kryetarin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Sër Nikolas Braca

Presidenti Bamir Topi priti sot Kryetarin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Sër Nikolas Braca, i cili ndodhet në vendin tonë në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën ndërkombëtare Ndarja dhe balancimi i pushteteve, roli i kontrollit kushtetues, të organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me rastin e 20-vjetorit të krijimit të saj.

Gjatë takimit, Topi vuri theksin tek rëndësia e vullnetit dhe bashkëpunimit mes forcave politike shqiptare për të realizuar në mënyrën e duhur ligjet për gjyqësorin, reformën në drejtësi, duke përshkruar në të njëjtën kohë edhe hapat e rëndësishme e pozitive të arritura ndër vite, por edhe problemet e vërejtura në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Presidenti Topi tha se, bashkëpunimi institucional në fushën e drejtësisë, heqja e imunitetit, lufta kundër korrupsionit, zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronave dhe rritja e profesionalizmit dhe integritetit do të kontribuojnë në konsolidimin e shtetit të së drejtës në vendin tonë.

Kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Sër Nikolas Braca, vlerësoi lart kontributin e rëndësishëm kushtetues të Presidentit Topi në të gjitha proceset reformuese të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Kreu i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut shprehu mbështetjen maksimale të institucionit ligjor që drejton, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, duke uruar njëkohësisht anëtarësimin sa më shpejt në strukturat evropiane. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›