PD: Ftesa e Topit e panevojshme
TIRANË- Brenda pak orësh, Partia Demokratike i ka kthyer përgjigje zyrtare Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Për Partinë Demokratike nuk janë të nevojshme ftesat në letër, por angazhimet konkrete të kreut të shtetit, për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese. “Stabiliteti i këtij vendi përcaktohet nga respektimi i ligjeve, Kushtetutës dhe institucioneve. Në këtë kontekst, hetimi i 21 janarit nga institucionet e pavarura është vendimtare, por ky hetimi po pengohet nga shoqja dhe shokët e bulevardit. Përsa i takon letrës, që Presidenti i Republikës i ka dërguar partive politike, përgjigjja jonë është që ne e ftojmë Presidentin e Republikës që të përmbushë detyrimet kushtetuese”, - tha dje, në një reagim zyrtar, deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike vijon qëndrimin e saj konstant ndaj Presidentit të Republikës, që prej ngjarjes së dhunshme të 21 janarit. Kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar Presidentin e Republikës si organizator të asaj që ata e cilësojnë si puç shteti. Kryeministri Sali Berisha ka shtuar në të njëjtën kohë se ngjarja e 21 janarit ishte pasojë e bashkëpunimit mes Edi Ramës dhe Bamir Topit, me qëllim që ky i fundit të siguronte një mandat të dytë presidencial, një mandat të cilin Partia Demokratike deri më tash e ka mohuar kategorikisht për mbështetje. Marrëdhëniet mes Presidentit të Republikës dhe Partisë Demokratike janë acaruar së tepërmi, ndërkohë që raporti mes tyre mbetet i ngrirë. Pak kohë më parë, anëtari i Këshillit Kombëtar i PD-së, Besnik Mustafaj deklaroi se vendi i Bamir Topit pas përfundimit të mandatit të tij, si President është në PD ndërkohë që zyrtarë të lartë të selisë blu e përjashtojnë edhe këtë mundësi angazhimi politik.