Topi-Topalli përplasen në Kushtetuese për kompetencat
Kushtetuese shqyrtoi dje konfliktin ndërmjet institucionit të Presidentit dhe Kuvendit lidhur me procedurën e emërimit të gjyqtarëve për në Gjykatën Kushtetuese. Thelbi i përplasjes mes dy institucioneve është fakti që Presidenti Bamir Topi dërgon në Kuvend emrat e juristëve që mendon se duhet të zgjidhen në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Kuvendi nuk i miraton ato duke bërë që anëtarët ekzistues, edhe pse i ka mbaruar mandati, të qëndrojnë në detyrë. Nga ana tjetër Kuvendi po mban dekrete pezull duke mos u shprehur as me pranim, dhe as me rrëzimin e tyre. Për sa kohë që dekretet qëndrojnë pezull, Presidenti Topi nuk ka mundësi të propozojë emra të rinj.
Për institucionin e Presidencës, Kuvendi në shkelje të hapur me ligjin ka bllokuar kompetencat e Presidentit duke kthyer mbrapsht dy dekrete të tij dhe duke zgjatur kështu në mënyrë të jashtëligjshme mandatin e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. I menjëhershëm ishte reagimi i Kuvendit, përfaqësuesit e të cilit u shfajësuan duke deklaruar se parlamenti ka zbatuar Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rotacionin e gjyqtarëve. Për mazhorancën, një e treta e anëtarëve të Kushtetueses duhet të rinovohen një herë në tre vjet, dhe dy dekretet u kreut të shtetit u kthyen mbrapsht, pasi kishin ardhur në parlament jashtë afateve. Sipas përfaqësuesve ligjorë të parlamentit, gjyqtarët aktualë duhet të qëndrojnë në detyrë deri në 2013 kur bëhen tre vjet nga rotacioni i fundit i realizuar në 2010. Në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese pritet të japë vendimin e saj për të zgjidhur përfundimisht konfliktit e kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe Presidentit për emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilëve u ka mbaruar mandati.
Kuvendi: Skemi konflikt me Topin, dekretet erdhën me vonesë
Përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit kërkuan në seancën e djeshme gjyqësore rrëzimin e kërkesës së Presidentit për zgjidhjen e kompetencave për emërimin e gjyqtarëve si të pabazuar. Sipas përfaqësuesve të Kuvendit, pas dekretimit të emrave për në Gjykatë, Presidenti nuk ka më asnjë kompetencë dhe se gjithçka i takon Kuvendit.
Drejtori Juridik i Kuvendit, Lulzim Lelcaj shpjegoi dje se Presidenti i Republikës, me kompetencën e tij për të emëruar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, do të duhej ta kishte zbatuar dispozitën e rotacionit të anëtareve të me një të tretën. Një tjetër pretendim i shprehur në sallën e gjyqit nga ana e Kuvendit, ishte mos legjitimimi i Presidentit Topi për të iniciuar këtë proces kushtetues pasi sipas tyre, nuk ekziston një mosmarrëveshje kompetencash, për sa kohë që presidenti nuk është subjekt ne konflikt apo subjekt i cenuar drejtpërdrejt nga një mosmarrëveshje e mundshme.
I paargumentuar është edhe pretendimi vijues i kërkuesit se Kuvendi i Shqipërisë ka marrë përsipër të vlerësojë në mënyrë të ndryshme kompetencat e Presidentit të Republikës dhe kompetencat e vetë Gjykatës Kushtetuese. Sjellim në vëmendje të Gjykatës se Kuvendi është i pavarur në vendimmarrjen e tij. Edhe Gjykata Kushtetuese është e pavarur në vendimmarrjen e saj. Në këto kushte, të pretendosh se Kuvendi i ka marrë kompetencat Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese, do të thotë se duhet të provosh se Kuvendi ka zëvendësuar GJK dhe ka deklaruar mbarimin e mandatit të anëtarëve të saj,- tha Lulzim Lelcaj, Drejtor Juridik i Kuvendit.
Duke mbrojtur qëndrimin e parlamentit për të bllokuar rotacionin lidhur me dekretet e presidentit Bamir Topi për në Gjykatën Kushtetuese, Lelcaj, u shpreh se një e treta e anëtarëve të gjykatës më të lartë në vend, rinovohet njëherë në tre vjet, dhe dy dekretet u kreut të shtetit u kthyen mbrapsht, pasi kishin ardhur në parlament jashtë afateve. Kushtetuta nuk e lejon që mekanizmi, dekret president-pëlqim Kuvendi, të vihet në lëvizje më parë sesa të kenë kaluar tre vjet nga ripërtëritja e fundit. Ky mekanizëm, sipas Lelcaj, mund të zbatohet vetëm për tre mandate në një raund ripërtëritës.
Në situatën jonormale të krijuar, Kuvendi kishte ripërtëritur dy mandate (deri në qershor 2010) dhe me daljen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kishte edhe katër dekrete në pritje. Në këto kushte, Kuvendi mund të operonte vetëm me njërin dekret, i treti mandat që plotësonte 1/3 e domosdoshme, sipas përcaktimit kushtetues. Ndërkohë për tre dekretet e mbetura pezull, Kuvendi e kishte të pamundur që të vijonte procedurën, sepse rotacionin me 1/3 tashmë e realizoi me dhënien e pëlqimit për tre gjyqtarët,- theksoi në fjalën e tij përfaqësuesi i Kuvendit.
Presidenca: Kuvendi na ka bllokuar punën me dekretet pezull
Përfaqësuesit e Presidencës e cilësuan antikushtetues ndërhyrjen e Kuvendit duke bllokuar rotacionin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Këshilltari juridik i presidentit, Artur Metani, deklaroi se ndërprerja e menjëhershme e procedurave të shqyrtimit nga Kuvendi të tre dekreteve të Presidentit, është një mekanizëm antikushtetues, i cili ka bllokuar procedurat kushtetuese për emërimin dhe për plotësimin e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese.
Rëndësi ka që të ketë një vendim të Gjykatës që të urdhërohet Kuvendi që dekretet ti nënshtrohen votimit. Logjika ligjore më detyron tju them se kjo vendimmarrje duhet të ngarkojë Kuvendin që ti votojë ato dekrete të Presidentit në seancë plenare, pasi deri më tani Kuvendi ska marrë asnjë vendim duke sjellë që dekretet e Presidentit të rrinë në vend. Dhe shtyrja e afatit të mandateve të tre anëtarëve në detyrë është bërë me një vendim të brendshëm të Kuvendit jashtë çdo kriteri Kushtetues,- theksoi Këshilltari Metani. Për institucionin e Presidentit, çështja në shqyrtim është një çështje themelore e ndarjes së pushteteve, e shtetit të së drejtës dhe garancive kushtetuese të ofruara për ushtrimin e kompetencave që institucionet kanë.
Zbatimi i detyrimeve kushtetuese duhet të jetë i harmonizuar gjithmonë me parimet themelore të ndërtimit dhe funksionimit të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë. Vetëm një harmonizim i tillë bën të mundur rregullimin e çështjeve që shtrohen për zgjidhje përpara institucioneve publike, tha Metani. Sipas përfaqësuesve të presidentit, nëse do të pritej që procedura e votimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të kryhen vetëm në prill 2013, atëherë do të gjendeshim para zgjatjes së mandateve 9 vjeçare, për 3 anëtarë, në 12 vjet. Në vlerësimin e presidentit, thuhet se mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të zgjaten apo kufizohen me vendim të Kuvendit, sikurse është disponuar konkretisht në vendimin e Kuvendit, i cili shprehet se çështja e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit të Republikës do të kryhen në prill 2013, duke zgjatur praktikisht mandatin e anëtarëve të cilëve u është deklaruar mbarimi me vendim të Gjykatës Kushtetuese në prill dhe maj 2010.
Ata që ikin dhe kush propozohen
U ka mbaruar mandati
1. Admir Thanza
2. Petrit Plloçi
3. Xhezair Zaganjori
Propozohen nga Presidenti
1. Ardian Leka
2. Artan Hoxha
3. Edlira Jorgaqi
Pyetjet e gjyqtarëve për avokatin e Presidentit
Pse kemi këtë situatë sot, ku për 3 anëtarët ës
