Ahmetaj: Taksa e sheshtë është taksa e varfërisë, Bode: Na shpëtoi nga kriza
Ministri i Financave u shpreh në Kuvend se taksa e sheshtë është taksa moderne e drejtësisë sociale. Gjatë diskutimeve, Bode u shpreh se taksa e sheshtë është ligji i përqafuar nga mbarë bota. Disa të majtë gjetën rastin për të sulmuar taksën e sheshtë. Ata janë çiçikovianë të majtë, kanë për qëllim ti hapin rrugë taksës progresive që ka shpikur kryetari i tyre. Taksa e sheshtë është taksa më moderne. Kjo u ndërmor vite të shkuara dhe u deklarua si suksesi më i madh. Me taksa më të ulëta merren të ardhura dy herë më shumë. Kjo është arsyeja pse Banka Botërore e deklaron rastin e Shqipërisë si histori suksesi. Në vitin 2005, një infermiere paguhej 150 mijë lekë, sot ajo merr 340 mijë lekë. Shkoni thuajuni se janë më keq se në 2005-n dhe shihni a ju besojnë. Taksa e sheshtë na mbajti jashtë krizës, na bëri tu qëndrojmë godtijeve që erdhën nga jashtë, tha Bode.
Ahmetaj: Taksa e sheshtë, taksa e varfërisë
Deputeti socialist Arben Ahmetaj e ka cilësuar taksën e sheshtë si taksa e varfërisë gjatë diskutimeve në seancën e sotme të projektligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Sipas Ahmetajt, qeveria i merr 300 mijë lekë në vit çdo qyetari, ndërsa favorizon ata që kanë të ardhura të larta.
Kjo taksë është një padrejtësi shoqërore, pasi i merr çdo qytetari 5 milionë lekë të vjetra në 10 vjet. Sipas taksës sonë progresiste që ju e hodhët poshtë, kryeministri Berisha do të duhej të paguante më shumë nga sa paguan tani, ndërsa 4 infermierë paguajnë në 10 vjet 20 milionë lekë më shumë, tha Ahmetaj.
Shkarkimi i Spahiut, sot në Kuvend raporti i Komisionit Hetimor
Raporti i hartuar nga komisioni për hetimin e veprimtaërisë së ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu,pritet të miratohet sot në Kuvend. Dy ditë pas përfundimit të punës dhe miratimit të raportit në Komisionin e ngritur për Spahiun, raporti shqyrtohet në seancën e sotme.
Pavarësisht dorëheqjes së Spahiut nga posti i nënkryetarit të KLD-së, raporti do ti propozojë Kuvendit vendosjen e ndërprerjes së qëndrimit të tij në këtë detyrë.
Sipas raportit të hartuar vetëm nga deputetët e maxhorancës, pasi socialistët nuk pranuan të bëhen pjesë e këtij komisioni, Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues i zv.kryetarit të KLD-së, duke e zëvendësuar atë me veprimtari politike.
Komisioni do ti propozojë Kuvendit dërgimin e këtij raporti në Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim të vlerësohen shkeljet e konstatuara prej tij për ushtrimin e ndjekjes penale. / G. N.
