Topi: Turqia po lobon për Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka bërë të ditur, se Ankaraja zyrtare po lobon fuqishëm te vendet e tjera, për sigurimin e sa më shumë njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës.
Ai ka theksuar në Stamboll, se homologu i tij turk Abdulah Gul e ka njoftuar se ka diskutuar me kolegun brazilian lidhur me këtë çështje.
Në intervistën për gazetën turke “Huriet”, Topi ka përkujtuar se Brazili është në mesin e 85 vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Perspektivat janë optimiste dhe presim që më shumë shtete të njohin shtetin e Kosovës”, ka thënë Topi.
Duke folur rreth integrimeve evropiane, kreu i shtetit shqiptar ka thënë se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete që kanë një inspirim që të bëhen vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe në kuptimin simbolik bashkimi i tyre do të ndodhë në Bruksel, ashtu sikur do të ndodhë edhe me vendet tjera.