E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cassano mendon për pension

Antonio Cassano, protagonist absolut në fitoren e Italisë ndaj Irlandës së Veriut, ka filluar të mendojë për jetën pas futbollit. Sulmuesi italian ka treguar se mendon të pensionohet nga futbolli pas 3-4 vjetësh.

“Do të luaj edhe tri, maksimalisht 4 vjet. Jam lodhur. Do të luaj në Evropian, ndoshta edhe në Botëror, e më pas do t’i dedikohem familjes, ndoshta edhe fëmijëve të tjerë. Jam i lumtur, por paksa i stresuar. Futbolli të jep atë që jep ti, ndoshta kam dhënë pak, për këtë është e drejtë që kam fituar pak”, deklaroi për televizionin italian Rai futbollisti i Milanit.

“Jam 29 vjeç, jam në Kombëtare që 10 vjet, por kam vetëm 25 paraqitje. Dëshiroj ta bëj një Evropian të mirë, pse jo edhe një Botëror pozitiv. Do të pensionohem kur të jem 33 vjeç, kur jam ende në formë të mirë”, vazhdoi ish futbollisti i Barit, i Romës, i Real Madridit dhe i Sampdorias.

Ai foli edhe për ndeshjen e së martës mbrëma, të fundit për këtë fazë kualifikuese. “E rëndësishme ishte që të kishim paraqitje të mirë. Tash na pret Evropiani dhe do të mundohemi t’i vazhdojmë sukseset. Si të luaj me Rossin apo edhe me Giovincon, nuk është problem për mua, janë lojtarë të shkëlqyeshëm”, shtoi ai.

Me golat ndaj Irlandës, Cassano e ka arritur Francesco Tottin me 9 gola në Kombëtaren italiane në ndeshje zyrtare. Golat e shënuara me Azzurrët ai shpreson që do t’i shërbejnë për t’u ngritur edhe te Rossonerët, ku po has vështirësi të shënojë dhe ta gjejë veten.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›