E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i Gjykatave, Spahiu sulmohet nga deputetët e PD

 

BLEDAR HOTI

Projektligji "Për Gjykatën Administrative" shkakton debate mes zv/kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiut dhe deputetëve të PD-së në komisionin parlamentar të Ligjeve.    Kontestimet e përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk janë pritur mirë nga ana e deputetëve të maxhorancës, të cilët kanë kontestuar qëndrimet e Spahiut. Debati më i ashpër është zhvilluar mes Spahiut dhe deputetit demokrat Eris Hoxha. Acarimi i toneve ka ardhur nisur nga fakti, se nënkryetari i KLD-së ka shprehur rezerva, se nuk ka pasur kohë në dispozicion për të dhënë mendim për draftin përpara se qeveria ta miratonte atë. "Shkresa që Ministria e Drejtësisë i ka përcjellë KLD-së, është shoqëruar me versionin jozyrtar të p/ligjit 'Për Gjykatën Administrative'. Në mungesë serioziteti të plotë, KLD është detyruar të diskutojë jo mbi projektin final, por mbi një projekt fillestar në prezencë edhe të ekspertëve ndërkombëtarë, pasi ministria e kishte kaluar draftin në Qeveri", tha Spahiu. Por deputeti i PD-së, Hoxha ka reaguar duke u shprehur:" "Thatë se është hera e parë që po pyeteni. Kam një shkresë protokolli nga Ministria e Drejtësisë, 1.10.2008 që i ka shkuar gjithë institucioneve varianti i parë i projektligjit. Qëndron shkresa?". Spahiu në kundërpërgjigje theksoi se "Kjo shkresë është paraqitur të premten pasdite, për të dhënë mendime për ditën e hënë". Hoxha ka replikuar më pas duke u shprehur se "Spahiu të mos e ngrinte zërin në sallë se nuk është në KLD, por të respektojë deputetët". Ndërsa ai ia ktheu që "si deputet të respektojë KLD-në, se me KLD nuk ka përralla". Spahiu ka bërë të ditur se shkresa mbante datën 1 tetor, pikërisht kur ishte miratuar projektligji nga ana e qeverisë. Deputetët e tjerë të maxhorancës Dajçi, Madhi, Bumçi i kërkuan drejtuesit të komisionit, nënkryetarit socialist Fatmir Xhafaj të mos lejojë, që mbledhja të dalë nga normaliteti. Për më shumë se dhjetë minuta deputetët kanë debatuar mes njëri-tjetrit në lidhje me deklaratën e lëshuar nga ana e Spahiu. "Zoti drejtues i seancës ndërhy, mos lejo që mbledhja të devijojë", iu drejtua demokrati Dajçi, Xhafajt. Më pas nënkryetari socialist ia ka dhënë fjalën drejtoreshës së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhafkollari, e cila ka hedhur poshtë pretendimet e nënkryetarit të KLD-së. "Në materialet në Komisionin e Ligjeve janë listuar grupet, që u është dërguar drafti për mendim. Është dhe KLD të cilës i është dërguar drafti ditën e mërkurë dhe i është caktuar afat i shpejtë për mendim. Përgjigjja ka qenë: "Nuk mund të japim përgjigje brenda afatit se jemi me shërbim jashtë shtetit", deklaroi Xhafkollari. KLD-ja në reagimin e saj kërkoi që shkarkimet e gjyqtarëve të jenë atribut i saj. "KLD ka atributin e shkarkimit dhe emërimit të gjyqtarëve, ndërkohë që në p/ligj kompetenca e shkarkimit dhe emërimit të tyre do t'i takojë Ministrisë së Drejtësisë", tha Spahiu. Ai u shpreh se "kjo metodë e shkarkimeve lë shteg për abuzime, ndërsa përsa i takon emërimit të sekretarit administrativ të parashikuar në p/ligj, ai është një model i dështuar, pasi duhen krijuar gjykata të veçanta dhe jo seksione gjykatash".

Debatet në komisionin e ligjeve

Eris Hoxha: Thatë se është hera e parë që po pyeteni. Kam një shkresë protokolli nga Ministria e Drejtësisë, 1.10.2008 që i ka shkuar gjithë institucioneve varianti i parë i projektligjit. Qëndron shkresa?
Kreshnik Spahiu: Ka qenë një mungesë serioziteti e theksuar nga dërguesit e kësaj shkrese. Kjo shkresë është dërguar ditën e premte pasdite për të marrë mendimin ditën e hënë.
Eris Hoxha: Ka ardhur shkresa apo jo, kaq dua, nuk dua historira? Mos na ngri zërin, se nuk je në KLD këtu. Je në komisionin e Ligjeve dhe respekto deputetët. Mos na trego përralla këtu.
Kreshnik Spahiu: Ki qetësinë të dëgjosh përgjigjen, unë nuk po bërtas, kështu e kam tonin. Ruaj etikën kur i drejtohesh KLD-së se në KLD nuk tregohen përralla. Edhe ti ki respekt për KLD-në. Më datë 1 dhjetor Këshilli Ministrave është mbledhur dhe ka miratuar projektligjin.
Bashkim Fino: Mos bërtit o Eris..!
Eris Hoxha: Nuk e kam me ty, e kam me atë..
Bashkim Fino: Mirë më mirë, se na trembe dhe ne
Pal Dajçi: Zoti Xhafaj kërkoj që të vini rregull në mbledhje

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›