Shamku: PS-ja në pushtet, zgjidhje problemeve të arsimit
Kryetarja e Komisionit të Arsimit në Partinë Socialiste premtoi dje zgjidhje të problemeve të këtij sistemi kur kjo parti të vijë në pushtet. Referuar disa pamjeve televizive ku disa fëmijë në Fushë-Krujë zhvillonin mësimin në bulevard, Shamku vuri në dukje se PS-ja nuk do ta tolerojë këtë situatë absurde ku shteti dorëhiqet nga detyra. “Së shpejti, me programin tonë qeverisës, do t’i japim krahë vullnetit të ndrydhur të prindërve dhe dëshirës së nxënësve për një edukim të denjë, e për një sistem ku as edhe një fëmijë në moshë për shkollë nuk do të ndihet më i braktisur nga shteti”, - tha ajo. Sipas saj, pamjet e transmetuara nga mediat televizive të nxënësve të Fushë-Krujës që bënin “mësim” ulur në trotuare me libra mbi gjunjë, qenë një tjetër dëshmi rrëqethëse, pas shkollës-stan të Miliskës që denoncuam kohë më parë. “Por fatkeqësisht mbresëlënëse nuk është vetëm kjo; po aq mbresëlënëse është mungesa e reagimit dhe moskokëçarja që karakterizon këtë shtet të çoroditur, për të cilin me sa duket qenka normale zhvillimi i procesit edukativ në mejhane, salla bilardoje apo në trotuaret e Fushë-Krujës”, - përfundoi Shamku.