Përplasjet politike, Kacin: “Shqipëria po i dërgon mesazh të gabuar Brukselit”
Nënkryetari i delegacionit të Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi e Kosovës në Parlamentin Europian, eurodeputeti slloven, Jelko Kacin, ka deklaruar se përplasjet politike në Shqipëri po dërgojnë mesazhin e gabuar në Bruksel. Në një intervistë për BBC-në, Kacin theksoi se “liberalizimi i vizave nuk është përparësia kryesore” për udhëheqjen shqiptare.
"Unë do të thosha se mesazhi më relevant dhe është një mesazh negativ që vjen nga Shqipëria, është çështja bazë se cila është përparësia strategjike e udhëheqjes shqiptare tani. Duket se liberalizimi i vizave nuk është përparësia kryesore, megjithëse qeveria po bën më të mirën, por, nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka perceptimin e vet të dinamizmit të ndryshimeve pozitive në Shqipëri”, - theksoi Kacin.
Sipas tij, përplasja politike po e pengon imazhin e Shqipërisë, sepse duket qartë se disa forca politike do të dëshironin ta përdornin rastin e liberalizimit të vizave për të luftuar, si koalicioni, ashtu edhe opozita, duke shtuar se kjo përplasje po thellohet dhe nuk po kapërcehet.
Vizat
Ndërkaq, Jean Louis De Brower, numri dy i zyrës së Komisionit Europian që merret me çështjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë e Bosnjën, i ka informuar eurodeputetët e Komitetit për Çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlamentin Europian gjatë pasdites së djeshme me progresin e bërë nga 2 vendet e rajonit. Pas takimit me dyer të mbyllura për median, raportuesja për vizat, Tanja Fajon, publikoi një komunikatë për shtyp, ku mbështetet liberalizimi i vizave në fillim të vjeshtës, duke vlerësuar se kriteret e papërmbushura duhet të realizohen deri atëherë nga autoritetet e Tiranës dhe të Sarajevës. “Pres që Komisioni Europian të shpërndajë propozimin legjislativ për të dyja vendet, jo më vonë se fillimi i qershorit. Por, shpejtësia e mëtejshme për finalizimin e procesit është ende në duart e autoriteteve të këtyre dy vendeve. Ata duhet të sigurojnë në kohën e duhur se ata janë në gjendje t’u përgjigjen shqetësimeve që mbeten, veçanërisht për zbatimin e reformave në fushën e ligjit, rendit e sigurisë së brendshme”, - theksoi Fajon. Eurodeputetja tregon se Komiteti për Çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlament ka mbështetur liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, si dhe trajtimin si çështje "urgjente" sikundër është angazhuar dhe nëntorin e kaluar. “Bosnja veçanërisht meriton sinjal pozitiv, tani më shumë se kurrë është afër Brukselit”, - diferencohet në komunikatën e raportueses Tanja Fajon.
Takimi
Në Bruksel u zhvillua dje një takim konsultativ për të analizuar zbatimin nga Shqipëria dhe Bosnja të kritereve për liberalizimin e vizave. Takimi mes Komisionit Europian dhe Komitetit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian shqyrtoi një raport mbi zbatimin e Udhërrëfyesit për këtë çështje. Raporti për Shqipërinë vlerësonte se vendi ka përmbushur plotësisht kriteret në bllokun e parë të Udhërrëfyesit, që ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve, në dy blloqe të tjerë vlerësohej se objektivat përgjithësisht ishin përmbushur, ndërsa në një bllok tjetër, Shqipëria ka arritur të plotësojë shumicën. Vlerësimi për Bosnjën ishte se ajo ka përmbushur objektivat në tre prej katër blloqeve. Megjithatë, Shqipëria, në krahasim me nivelin e Malit të Zi dhe Serbisë vitin e kaluar, kur ato morën liberalizimin e vizave, është në një nivel më të lartë. Komisioni Europian pritet të bëjë propozimin e tij nga fundi i muajit maj dhe një vendim paraprak të jepet në fillim të qershorit, i cili të jetë i kushtëzuar me përmbushjen e detyrimeve edhe në fushat e mbetura. Vendimi përfundimtar parashikohet të merret në tetor me mundësinë që liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi brenda vjeshtës.
Berisha: “Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është atribut i Presidentit”
Kryeministri Berisha ka reaguar lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Shefi i qeverisë u shpreh se procedura është transparente dhe përzgjedhja e kandidaturave është atribut i presidentit Bamir Topi. Sipas Berishës, në Shqipëri është konsoliduar një traditë e mirë për emërimin e gjyqtarëve në këto dy gjykata të rëndësishme të vendit. “Është atributi i Presidentit të Republikës. Presidenti ka hapur një procedurë, ka thirrur një komision, ka marrë një numër kandidaturash, gjëra mëse normale. E kam mbrojtur me sinqeritet këtë standard, i cili, gjykoj unë, është në interesin më të mirë të pavarësisë së sistemit gjyqësor nëse Presidenti ka të drejtën e përzgjedhjes dhe këtë ia ka dhënë Kushtetuta, sepse përndryshe do të ishte më e vështirë pavarësia, Parlamenti ka të drejtën e pëlqimit, por të gjitha këto janë shumë herë më të mira sesa procedurat vesh më vesh, apo prapa kuintave”, - është shprehur Berisha. Ndërkaq, Berisha ka refuzuar propozimin e PS-së për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese me 84 vota. Edhe pse nuk i është përgjigjur drejtpërsëdrejti propozimit të artikuluar një ditë më parë nga Fatmir Xhafa, kryeministri ka deklaruar se procedura aktuale është moderne dhe transparente. Lideri i maxhorancës, Berisha, ka dalë në mbrojtje të procedurës aktuale të miratimit të anëtarëve të këtyre 2 institucioneve të rëndësishme, duke lënë të kuptohet se nuk ka në plan të ndryshojë mënyrën e votimit të emrave të përzgjedhur nga Presidenti. Ndërkaq, duke iu referuar deklaratës së Këshillit të Europës, kryeministri Berisha ka përsëritur se mbështet zgjidhjet që mund të vijnë nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. Emërimi i 6 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe 4 anëtarëve të Gjykatës së Lartë është një prej çështjeve më të nxehta të politikës së ditës dhe vetëm një ditë më parë, sekretari për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafa, deklaroi se PS-ja do të bashkëpunojë në këtë proces nëse votimi për emrat e rinj do të bëhet me shumicë të cilësuar.
28 Prill 2010