Topi: Zgjedhjet e 8 majit, demokratike dhe të drejta

Një rëndësi të madhe kanë zgjedhjet e 8 majit, jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por dhe për të treguar aftësinë dhe maturinë e partive politike dhe të vetë zgjedhësve në realizimin e zgjedhjeve demokratike, korrekte, të drejta e sipas standardeve të duhura. Kështu ka deklaruar Kreu i shtetit shqiptar, i cili përsëriti qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese, më 8 maj 2011.
Bamir Topi, në një takim të mbajtur sot me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Arvizu, me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui si dhe me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Volfart ndanë të njëjtin mendim lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm, sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Kreu i shtetit shqiptar, së bashku me ambasadorët e vendeve mike dhe aleate, nënvizuan domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike.