Topi: Zgjedhjet nuk duhet të jenë të politizuara!

“Parlamenti është tempulli institucional i demokracisë” dhe ky bashkëpunim e shkëmbim përvoje do të kontribuonte në realizimin me sukses të proçeseve të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi presidenti Bamir Topi gjatë një takimi të mbajtur me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, Lazlo Këver dhe delegacionin që e shoqëron në këtë vizitë zyrtare në vendin tonë.
Duke bërë një përshkrim të situatës politike në vend dhe në veçanti, të zgjedhjeve vendore të 8 majit 2011 dhe fushatës së saponisur zgjedhore, presidenti Topi vuri në dukje angazhimin e gjithanshëm të shtetit shqiptar në zhvillimin me sukses dhe sipas standardeve të duhura e demokratike të këtyre zgjedhjeve, sepse “sa më pak të politizuara të jenë këto zgjedhje, aq më shumë do t`u kushtohet vëmendje shërbimeve dhe interesave të qytetarëve”.
Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Hungarisë, e cila mban Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, si dhe theksoi rëndësinë e konsolidimit dhe thellimit të mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat, përfshirë edhe atë ekonomike. Kryeparlamentari hungarez, Lazlo Këver, shprehu bindjen në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë dhe Hungarisë në mjaft fusha, sidomos në drejtim të bashkëpunimit të frytshëm parlamentar në kuadër të përafrimit të legjislaturës shqiptare me atë të BE-së.