E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi Zgjedhjet te jene ne sherbim te qytetareve

Presidenti i vendit Bamir Topi ka përdorur tone të ashpra në lidhje me zhvillimet që ka sjellë fushata politike në vend. Në një deklaratë për mediat, gjatë takimit me shoqatat e vëzhguesve vendorë, kreu i shtetit ka tërhequr vëmendjen e partive për fushatën elektorale, duke theksuar se 8 maji nuk është garë për shefat e parive, por për sistemin demokratik dhe qytetarët.

“Një pjesë e kandidatëve dhe partive e shohin 8 majin si një test force për militantët. Retorika e tonëve të larta dhe në disa raste edhe konfliktuale dhe mungesa e elitave profesionale për problemet dhe aktet dhunë janë tregues se palët kanë një interes tjetër”, tha Topi.

Kreu i shtetit deklaroi se partitë kryesore duhet të mos përfitojnë nga monopoli që kanë krijuar në Kodin Zgjedhor. Kreu i shtetit theksoi se 8 maji duhet të jetë dita e qytetarëve dhe se partitë duhet të marrin përsipër përgjegjësitë.

“Secila palë ka përgjegjësitë e veta dhe secila palë duhet t’a dëshmojë këtë. Zgjedhjet janë provë për nivelin e demokracisë dhe kulturës funksionale në Shqipëri. Zgjedhjet janë moment kur bëhet bilanci i një mandati qeverisës dhe premtohet qeverisja e viteve të tjera. Qytetarët kanë pushtetin e votës për të zgjedhur mes alternativës, për të votuar kandidatët që ofrojnë më shumë projekte. 8 maji është dita e qytetarisë, kur politika përballet me verdiktin e vlerësimit”, tha Topi.

Kreu i shtetit u shpreh se kandidatët duhet të largohen nga praktikat e gabuara. “Këto zgjedhje kanë një rëndësi të shumëfishtë. Njoh dhe vlerësoj nevojën që partitë e kandidatët të largohen sa më shumë prej praktikave të gabuara, prej përfitimeve të paligjshme elektorale. Ata duhet të sillen dhe të veprojnë si institucione demokratike, të veprojnë si zëdhënës të qytetarëve”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›