Topi-anëtarëve të Gjykatës së Lartë: “Mos lejoni interferimin e politikës në punët tuaja”
Presidenti deklaroi se respekti për institucionet, sidomos ato të drejtësisë, nuk tregohet me retorikë, por me vullnet politik. “Respekti për institucionet e drejtësisë duhet të tregohet jo formalisht, apo nëpërmjet retorikës politike, por nëpërmjet vullnetit të pastër politik për reforma të gjera e të thella në vazhdimësi, me përgjegjshmëri, vlerësim profesional dhe etikë të komunikimit qytetar, për të prodhuar një imazh të fortë publik për një drejtësi të pakorruptuar, për të cilën jemi të uritur. Ka një shprehje të vjetër, e cila mbetet aktuale e që e konfirmon atë që sapo citova: “Për një komb, drejtësia është si buka e përditshme, për të cilën ai është gjithmonë i uritur”, që do të thotë se shoqëria është gjithmonë e vëmendshme ndaj drejtësisë dhe si e tillë, vëzhguese dhe matëse e integritetit që vetë pushteti gjyqësor reflekton”. Përgjegjësia që ju është besuar, është pashmangshmërisht e ekspozuar ndaj publikut dhe në të njëjtën kohë, vendimtare në politikën e drejtësisë së shtetit shqiptar. Veprimtaria juaj profesionale, nëpërmjet objektit të posaçëm që i është ngarkuar Gjykatës së Lartë nga Kushtetuta dhe ligjet, mund të shkaktojë ndjeshmëri të dyfishtë: si tek interesat e mbajtësve më të lartë të pushtetit, ndaj të cilëve kjo Gjykatë ushtron juridiksion fillestar, ashtu edhe tek interesat e qytetarëve, nëpërmjet ushtrimit të juridiksionit rishikues”, - tha presidenti. “Vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë janë gjithashtu ligje për gjykatat e dy niveleve të para, ndaj vendimmarrja juaj duhet të jetë shprehje e një revolucioni të mendimit juridik, ku trajtimi i parimeve jurisprudenciale të udhëhiqet vetëm nga bindjet profesionale dhe të jetë produkt i debatit juridik, i cili shpesh evoluon vetë konceptet e së drejtës. Në përfundim të fjalës time dhe pas pothuajse një vit në drejtim të shtetit shqiptar, mund të konkludoj se suksesi i një kauze të drejtë kërkon patjetër maturi dhe vullnet të mirë. Juristët romakë në themel të drejtësisë kishin vënë mirëbesimin”, - vijoi kreu i shtetit.
Presidenti “bekoi” dje gjashtë anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Në ceremoni ishin të pranishëm ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, ambasadori i OSBE, Robert Bosh, nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, përfaqësues të misionit të asistencës ligjore EURALIUS, të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, anëtarë të Gjykatës së Lartë, si dhe juristë, gjyqtarë dhe personalitete të fushës së jurisprudencës.