E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Agjenci dhe qindra vëzhgues të huaj për të mbrojtur zgjedhjet e lira”

Kryetari i LSI-së prezanton strategjinë që garanton mosprekjen e votave nga Rama dhe Berisha. Meta: “Strategjia jonë jo vetëm për të mbrojtur votat e LSI-së, por të çdo partie tjetër”

Shaban Sulçe

Lëvizja Socialiste për Integrim ka hartuar një strategji shumë të qartë në kushtet e mungesës së komisionerëve për të mbrojtur votat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo strategji e LSI-sw planifikon kontraktimin e të paktën dy kompanive ndërkombëtare të specializuara për paralizimin e skemave të manipulimit të votës dhe të demaskimit të tyre ndërkombëtar. Gjithashtu, plani i LSI-së për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme vijon me ngritjen e tri qendrave të specializuara me ekipe të huaja, të cilat do të monitorojnë procesin zgjedhor dhe do të demaskojnë çdo tentativë manipulimi. Pika e tretë e kësaj strategjie është edhe sjellja në Shqipëri e sa më shumë vëzhguesve, personaliteteve, politikanëve dhe gazetarëve ndërkombëtarë me eksperiencë të pasur në monitorimin e zgjedhjeve, sidomos në vendet problematike. Strategjia e LSI-së është bërë publike nga kryetari i saj, Ilir Meta, i cili tha se kjo strategji nuk është bërë vetëm për të mbrojtur votën e LSI-së, por votën e çdo shqiptari nga grabitja që ka planifikuar Rama dhe Berisha me Kodin e ri Zgjedhor.

Kompanitë

Kryetari i LSI-së tha se që gjatë ditëve të grevës së urisë së 10 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë kishte nisur negociatat, të cilat vijojnë të vazhdojnë me kompanitë më të specializuara në Europë dhe në Amerikë për strategjitë e paralizimit të skemave të manipulimit të votës dhe të demaskimit të tyre ndërkombëtar. Meta tha se në muajin janar pritet të konkludohet me sukses marrëveshja me të paktën dy prej këtyre kompanive, të cilat do të jenë shumë aktive për të mbrojtur votat e shqiptarëve nga plani i Berishës dhe Ramës për t’i grabitur ato. “Do të ndihmojnë jo thjesht Lëvizjen Socialiste për Integrim, por do të ndihmojnë Shqipërinë që zgjedhjet të realizohen në mënyrë të ndershme dhe transparente, që të mos kenë frikë shqiptarët se vota e tyre mund të preket nga Berisha e Rama. Por të kenë tmerr Rama e Berisha në qoftë se do të prekin një votë, jo thjesht të LSI-sw, por një votë që do të hidhet nga çdo qytetar shqiptar për cilëndo forcë politike që do të dëshirojë”, - tha Meta.

Vëzhguesit
Kreu i LSI-së tha gjithashtu se në muajin janar do të krijohen të paktën tri qendra me përbërjen e ekipeve të specializuara, të cilat do të bashkërendohen me njëra-tjetrën, por edhe me aktorët politikw, për të denoncuar me përmasa të forta ndërkombëtare në rast se “edhe një votë do të preket në qendrën më të vogël, më të parëndësishme dhe më të largët të Shqipërisë. Jo një votë të LSI-së, por një votë të cilësdo force politike. Ne do të jemi garantuesit e zgjedhjeve të ndershme”, - vijoi Meta. Ai shtoi se LSI-ja do të sjellë qindra personalitete ndërkombëtare, politikanë, gazetarë me eksperiencë të vlefshme në monitorimin e proceseve zgjedhore edhe në vendet më problematike. “Tani, nuk do të ketë më 50 e 60, do të jenë me qindra dhe do të jenë personalitete krejtësisht të besueshëm, të pakomprometueshëm, ndaj që tani dhe Berisha dhe Rama duhet ta kenë të qartë se do të jenë në fokusin e tw gjithë opinionit publik të brendshëm, por edhe ndërkombëtar”, vijoi ai. Kreu i LSI-së shpjegoi se hartimi i kësaj strategjie është bërë në kushtet kur OSBE-ja ka shfaqur qëndrime mjaft kontradiktore. “Ndaj, dua t’ju them edhe një herë se nuk donim të merrnim këtë angazhim dhe këtë përgjegjësi, por kushtet kur ju të gjithë po e vëreni që OSBE-ja nuk është dot në gjendje të japë qëndrime konseguente, parimore, në mbrojtje të standardeve të zgjedhjeve, pa dyshim që është detyra dhe përgjegjësia jonë, si njerëz që e duam demokracinë dhe si atdhetarë, që të mbrojmë zgjedhjet në Shqipëri dhe për këtë të kemi të gjithë asistencën e domosdoshme në Shqipëri”, - deklaroi kryetari i LSI-së Ilir Meta.

22 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›