E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi bëri gati podiumin e paqes, gjithçka prishet në minutat e fundit

Përplasja politike në vend shkakton ndarje dhe brenda delegacionit të KiE-së

Delegacioni i lartë i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kanë menduar dje pasdite se kishin arritur qëllimin e negociatave. Pas disa orë bisedimesh kishin arritur të bindnin Kryeministrin, Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama, të shkojnë në selinë e Presidencës në takimin e dytë të ditës së djeshme, në orën 17:00. Me indikacionet e kreut të shtetit, stafi i Presidencës ka vendosur në një nga auditorët e selisë kryesore të Republikës podiumet ku do të flisnin dy protagonistët e politikës shqiptare. Edhe pse me rezerva, organizatorët e takimit kanë lënë gati brenda selisë së Presidencës një grup kameramanësh që do të ishin gati për deklarimet për shtyp. Por më pas gjithçka është anuluar 15 minuta pas orës 19:00. Pa dhënë asnjë shpjegim, përfaqësuesit e sigurisë bënë të ditur se nuk do të kishte asnjë deklaratë, ndërkohë që nuk është dhënë asnjë koment as nga palët apo nga Presidenca. Berisha, i shoqëruar nga Patozi dhe Rama nga Ruçi, kanë lënë selinë e kreut të shtetit, duke manifestuar qëndrime paksa të ndryshme emocionale, ku binte në sy pamja më e gëzuar e kreut të socialistëve shqiptarë. Por, nga ana e tyre, anëtarët e delegacionit të KiE-së kanë qenë të zhgënjyer për mosarritjen e marrëveshjes. “Pas pranimit për të shkuar në takimin në Presidencë u besua se do të ketë një marrëveshje”, tha për “Shqip” një burim diplomatik. Por edhe vetë delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk i ka shpëtuar përplasjeve politike, duke mbajtur qëndrimet e njërës palë apo tjetrës. Më shumë, kjo panoramë e ndarjes si me thikë është shfaqur gjatë drekës së delegacionit të KiE-së me ambasadorët e Bashkimit Europian në Tiranë, që është zhvilluar në hotel “Rogner”. Pas takimit me Kryeministrin Berisha dhe para atij me liderin e opozitës, Edi Rama, grupi prej dhjetë vetash ka diskutuar panoramën e situatës me diplomatët e Bashkimit Europian. Edhe pse ka pasur një fije optimizmi për dërgimin e Kryeministrit dhe kreut të PS-së, në takimin me Presidentin, ka pasur ndarje opinionesh sa i përket çështjes së kutive. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane, Luca Volonte, i cili është deputet i “Popolo della Liberta”, parti që drejtohet nga Silvio Berluskoni, ka qenë mbështetësi më i madh i Berishës. Por kryetari i asamblesë, turku çavuushoglu dhe dy reporterët Wilshire dhe Laakso, kanë qenë më realistë dhe kërkues drejt arritjes së një zgjidhjeje. Delegacioni i KiE-së është takuar dy herë me Presidentin Topi, me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe me Kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama. Bisedimet me dy krerët e politikës kanë zgjatur më shumë se ç’pritej, duke eksploruar rrugët për të arritur një marrëveshje që prej ditës së djeshme, por që në fund nuk është arritur, duke e shtyrë edhe më tej zgjidhjen e krizës politike shqiptare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›