E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumbi u qëllua nga shoku i viktimës

Ekspertiza për vrasjen e Bardhoshit. Fisheku, jo nga armët e policëve

Laboratori i Kriminalistikës ka nxjerrë dje analizat e para të plumbit që qëlloi për vdekje Ahmet Bardhoshin gjatë një përplasje me armë të shokut të tij dhe policisë. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në Kamzë, ku patrulla e policisë po ndiqte dy persona që dyshoheshin për vjedhje dhe gjatë ndjekjes pati shkëmbim zjarri. Nga kjo mbeti i vrarë 32-vjeçari, ndërkohë që u “ngrinë” tre efektivët, të cilët po ndiqnin të dyshuarit. Dje, ekspertiza ka nxjerrë konkluzionet për plumbin që i shkaktoi vdekjen atij dhe nga krahasimet rezulton se ai nuk është qëlluar nga asnjë prej tre armëve të punonjësve të policisë. Megjithatë, priten të dhëna më të plota për të konfirmuar plotësisht këtë fakt. Gjithashtu, dje, grupi hetimor ka rimarrë në pyetje tre policët që u përplasën me armë me dy personat e dyshuar, që më pas rezultuan se ishin hajdutë dhe po qarkullonin me një makinë të vjedhur, brenda së cilës gjendej edhe një gjenerator i vjedhur. Personi tjetër, që shoqëronte viktimën, i cili ka hapur zjarr i pari, ende nuk është kapur, ndërkohë që policia vazhdon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Tre efektivët e policisë kanë rikonfirmuar dëshmitë e tyre, duke treguar rrethanat e ngjarjes. Sipas të dhënave, pas thirrjes së policisë, dy personat nuk kanë ndaluar dhe kanë braktisur makinën, duke tentuar të largohen. Bashkëpunëtori i viktimës ka qenë i pajisur me pistoletë dhe ka qëlluar në drejtim të policisë. Në këtë kohë, policia është kundërpërgjigjur, që sipas të dhënave është procedurë standarde. Në makinën e policisë ndodheshin tre efektivë, shoferi, përgjegjësi i grupit dhe një tjetër oficer. Shoferi ka qëndruar në makinë dhe dy të tjerët i janë kundërpërgjigjur zjarrit. Një nga efektivët ka qëlluar katër plumba, ndërsa tjetri vetëm dy. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe tre gëzhoja që i përkasin bashkëpunëtorit të viktimës. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se viktima ka rënë me kurriz pas marrjes së një plumbi të vetëm. Sipas ekspertizës, viktima, plumbin e ka marrë në kurriz, nga poshtë lart. Ky plumb ka dalë në nofullën e poshtme të tij. Duke u nisur nga mënyra sesi ka rënë viktima, me kurriz poshtë, rezulton se plumbi e ka kapur në ikje dhe ka qenë gjysmë i përkulur. Atë ditë, Policia e Tiranës deklaroi zyrtarisht se rreth orës 00:30, në Kamzë, Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, duke patrulluar në zonën pranë shkollës “Agrobiznes”, në momentin që i kanë bërë shenjë për të ndaluar dhe për t’iu nënshtruar një kontrolli rutinë, personat brenda në automjetin tip “Benz”, me targë TR 3854 G, nuk kanë ndaluar. Nga patrullat e policisë, personave në automjet u është bërë thirrje me sinjal zanor, fenelinë, por pasi kanë ndaluar mjetin, janë larguar menjëherë me vrap. Thirrjes së policisë “Ndal Policia”, një prej personave të armatosur, në moment i është përgjigjur me zjarr, duke qëlluar me armë në drejtim të Patrullës së Përgjithshme të Policisë. Të ndodhur përpara këtij sulmi, edhe Patrulla e Policisë i është përgjigjur zjarrit të armës, duke qëlluar në ajër. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes është gjetur i pajetë Ahmet Bardhoshi, 32 vjeç, kontingjent kriminal, i cili mbante të veshur një xhup ushtarak, në duar mbante doreza, si dhe një palë pinca të fshehura në trup.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›