E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata, urdhër-arrest për Albin Kurtin: Silleni me dhunë

Prishtinë Shtyhet për sot procesi ndaj kreut të “Vetëvendosjes” që sfidon EULEX

Albin Kurti, lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, as dje nuk është paraqitur në Gjykatën e Qarkut, ku ka nisur seanca gjyqësore kundër tij. Kurti e ka konsideruar procesin ndaj tij si të motivuar politikisht. Por, gjykatësi kryesues në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka urdhëruar Policinë e Kosovës që deri në orën 12:30, ta sjellë Kurtin në gjykatë, për t’u përballur me akuzat, që kanë të bëjnë me protestat e 10 shkurtit të vitit 2007. Në një komunikatë për opinion, misioni europian për sundimin e ligjit, EULEX, ka bërë të ditur se "zoti Kurti nuk është paraqitur sot në seancën dëgjimore, pavarësisht thirrjes dhe kalimit të afatit kohor ligjor”. “Urdhri i gjykatësit është i detyrueshëm sipas nenit 341 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. Kur i akuzuari i thirrur me rregull nuk paraqitet në shqyrtim gjyqësor dhe nuk e arsyeton mungesën, kryetari i trupit gjykues lëshon urdhrin për të sjellë të akuzuarin në gjykatë”, thuhet në komunikatë. Ndërkohë, avokati zyrtar i zotit Kurti, i caktuar nga EULEX-i, Ramiz Krasniqi, ka përsëritur sot kërkesën për dorëheqje nga rasti, për shkak të, siç ka thënë, “natyrës politike të rastit dhe brengat se Kurti nuk do të ketë gjykim të drejtë nga ana e EULEX-it”. Në letrën dërguar gjykatësve të EULEX-it, Krasniqi ka thënë se dorëheqja vjen edhe si shenjë solidariteti me kolegët e tij avokatë, të cilët para dy vjetësh kishin bojkotuar procesin gjyqësor kundër Kurtit, duke e quajtur atë si politik. Ndërkohë, Krasniqi përmes një letre të posaçme, dërguar mediave me rrugë elektronike, konfirmon se arsyeja kryesore e dorëheqjes nga një detyrë e tillë, sipas tij, është fakti se ai e cilëson si të gjykuar politikisht çështjen e hapur kundër Kurtit dhe madje “shpreh brengën se ai nuk do të gjykohet siç duhet nga Eulex”. “Eulex-i nuk është palë neutrale në këtë proces dhe ka si qëllim t’ia mbyllë gojën Kurtit”, thotë hapur Krasniqi në letrën e tij drejtuar gjykatësit të procesit në fjalë, Ferdinanco di Mongeot. Dështimi i policisë për të sjellë udhëheqësin e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, e ka detyruar kryetarin e trupit gjykues që të shtyjë gjykimin për ditën e martë, ndërsa që ka kërkuar nga policia që nesër ta sjellë Kurtin në seancën e orës 10.00. Ashtu edhe siç kishte paralajmëruar, Kurti nuk është paraqitur të hënën në seancën dëgjimore dhe kjo ka bërë që gjykatësi kryesues ndërkombëtar pas një shtyrje disaorëshe të shtyjë seancën për ditën e nesërme. Gjithashtu, shkak i shtyrjes së seancës përveç mungesës së Kurtit ka qenë edhe mungesa e gjykatës vendore, Fllanza Kadiut.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›