E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekoron 5 kompozitorë shqiptarë

Për kontributin e veçantë në fushën e muzikës, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, dekoroi dje me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë 5 kompozitorë shqiptarë: Edmond Zhulali, Alfred Kaçinari, Lejla Muhamet Agolli, Spartak Tili dhe Sulejman Baltëza. Ceremonia e dekorimit u zhvillua në Presidencë në praninë e personaliteteve të spikatura të artit dhe të muzikës shqiptare, ndër ta muzikantë, orkestrantë, këngëtarë, si dhe miq e familjarë të kompozitorëve të cilët u nderuan dje. Edmond Zhulali u dekorua me motivacionin: “Për kontributin e veçantë të dhënë në fushën e muzikës së lehtë, asaj popullore të përpunuar dhe të këngës qytetare.”; Alfred Kaçinari me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në muzikën e lehtë shqiptare, veçanërisht në drejtim të kompozimit dhe orkestrimit, duke ndikuar në rritjen e cilësisë artistike dhe përafrimin me prirjet e muzikës bashkëkohore europiane.”; Lejla Muhamet Agolli me motivacionin: "Për kontribut të rëndësishëm në fushën e krijimtarisë muzikore të të gjitha gjinive dhe promovimin e tyre në veprimtaritë brenda dhe jashtë vendit.”; Spartak Tili me motivacionin: "Për kontribut në krijimtarinë muzikore, veçanërisht në kultivimin, zhvillimin dhe përhapjen e këngës së lehtë qytetare shqiptare.”; dhe Sulejman Baltëza me motivacionin: "Për kontribut të rëndësishëm në ngritjen në nivel të lartë profesional të formacionit orkestror të qytetit të Elbasanit, duke krijuar një profil simfonik, përmes veprave më përfaqësuese të repertorit shqiptar dhe atij botëror.”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›