“Shtrigat e Salemit” hapin derën e Teatrit Kombëtar
“Shtrigat e Salemit” e Arthur Miller rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar, bashkë me dy aktorët Timo Flloko dhe Eva Alikaj. Suksesi i kësaj vepre sezonin e kaluar e ringjiti sërish në skenë në çelje të sezonit të ri artistik në Teatrin Kombëtar më 7 tetor. Vepra me regji të Spiro Dunit mbledh në një skenë të vetme disa emra të njohur të skenës, si Flloko dhe Alikaj, por dhe të madhen Drita Pelingu, Vajsan Lamin, Fatos Selën, Naum Shundin, pasuar nga më të rinjtë, Neritan Liçaj, Eni Jani dhe për herë të parë në rolin e aktores vjen “princesha” e shqiptarëve, Elia Zaharia. Vepra klasike, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Amerikën e viteve ’50, paraqet fenomenin e makartizmit, shtypjes së mendimeve të lira të individit. Personazhi kryesor, Xhon Proktori, gjendet mes tundimi për Abigelën dhe ruajtjes së emrit të tij. E ndërsa gruaja e tij, Elisabet rrezikon dënimin, Proktor i del në mbrojtje, duke dëshmuar për lidhjen me Abigeil dhe për të ruajtur dinjitetin dhe personalitetin shkon në litar. Pas “Shtrigat e Salemit”, në skenën e Teatrit Kombëtar pritet të shfaqet premiera e “Amadeus”, me protagonist Ndriçim Xhepën. Nga fundi i muajit dhjetor, për publikun është projektuar një tjetër premierë, “Mallkimi i të uriturve”, me regji të Kastriot Çipit. Ndërkohë, “Shtrigat e Salemit” do të shfaqet në datat 7, 8, 9 tetor, ora 19:00.