Topi dekreton Berishën si kryeministër, shmanget takimi
Arrin kulmin acarimi i marrëdhënieve midis kryeministrit dhe presidentit. Që prej vitit 1991 kryeministri takon Presidentin për të marrë dekretimin
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar menjëherë kryeministrin Berisha për të krijuar kabinetin e tij qeveritar. Fill pas marrjes së propozimit nga Partia Demokratike, kreu i shtetit ka firmosur dekretimin e Berishës në postin e kryeministrit të vendit. Por ajo që ka ndodhur është se të dy politikanët, krerët me të lartë të institucioneve më të larta drejtuese në vend, nuk kanë zhvilluar asnjë takim formal, duke krijuar një precedent të rrezikshëm. Që nga viti 1991 dhe gjatë gjithë historisë së pluralizmit në Shqipëri, kryeministri i zgjedhur i maxhorancës fituese në zgjedhje shkon dhe takon kryen e shtetit dhe del me dekretin e tij, që i jep të drejtën për të krijuar qeverinë e re. Por, kryeministri Berisha, përveçse mban mbi supe bojkotin e opozitës, e cila nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve, krijon një tjetër përplasje me Presidentin e Republikës. Por, në rast se dje Berisha arriti të shmangte takimin me Topin, nuk mund ta shmangë më tej, për shkak se në bazë të Nenit 99 të Kushtetutës, para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës. Pritet që ky takim në Presidencë të ndodhë së shpejti.
Dekretimi
Ashtu siç është parashikuar në Kushtetutën e vendit, Partia Demokratike, si forca parlamentare fituese e zgjedhjeve, i dërgoi me postë dje në mesditë Presidentit të Republikës kërkesën për të mandatuar si kryeministër të ri kryetarin e PD-së, Sali Berisha. Propozimin e dërgoi në emër të PD-së sekretari Organizativ, Flamur Noka. “Ne, partitë e koalicionit fitues të zgjedhjeve, propozojmë si kryeministër të qeverisë zotin Sali Berisha”, - shkruhet në letrën e PD-së. Fill pas mbërritjes së kësaj letre, kreu i shtetit ka firmosur Dekretin me Nr. 6243. “Në mbështetje të neneve 93 dhe 96, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të shumicës parlamentare, dekretoj: Zoti Sali Berisha emërohet kryeministër i Republikës së Shqipërisë”, - shkruhet në dekretin e firmosur dje në orët e mesditës nga presidenti Topi. Pikërisht kjo shkresë i dha mundësinë kryeministrit Berisha të bëjë publik kabinetin e ri qeveritar. Por, megjithëse takimi midis dy politikanëve nuk parashikohet në Kushtetutë, kryeministri paraqitet për etikë në zyrën e presidentit për të marrë dekretimin. Të paktën kjo praktikë është ndjekur në të gjitha dekretimet e mëparshme. Burimet bëjnë të ditur se shmangia e takimit midis dy ish-kolegëve në PD tregon kulmin e acarimit të marrëdhënieve mes palëve, që i shtohet listës së gjatë të përplasjeve institucionale.
Përplasjet
Gjatë katër viteve të kaluara marrëdhëniet midis kryeministrit Berisha dhe Presidentit të Republikës Topi kanë shënuar plasaritje të herëpashershme. I gjendur përballë një presidenti të ri që kërkonte të ruante balancat dhe të ishte garant i Kushtetutës pa mbajtur anën e PD-së, Berisha u përpoq shpeshherë që gjatë mandatit të parë qeverisës t’i tkurrte pozitat e Topit në PD dhe të zvogëlonte sa më shumë kompetencat e tij. Përplasja e parë midis dy politikanëve u shënua me ndryshimin e Kushtetutës dhe zvogëlimin e kompetencave të presidentit. Nëpërmjet një pakete të tërë amendamentesh kushtetuese, të prezantuara në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, shumica e kontrolluar nga lideri i së djathtës kërkoi që të sanksionojë në Kushtetutë një kufizim të së drejtës së kreut të shtetit për dekretet. Bëhet fjalë për ndryshimin e Nenit 93 të Kushtetutës, sipas të cilit, të gjitha dekretet e nxjerra nga presidenti, përpara se të marrin fuqi vepruese, duhet të kundërfirmohen nga kryeministri apo ministri i linjës. Një propozim i tillë u kundërshtua ashpër jo vetëm nga opozita, por edhe nga aleatët e PD-së në atë kohë dhe u rrëzua. Por në Kuvend u miratua me konsensusin e PS-së propozimi tjetër i PD-së për zgjedhjen e presidentit me shumicë të thjeshtë votash. Ky ndryshim rrëzoi edhe kërkesën e vazhdueshme, të mbështetur edhe nga presidenti Topi, për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm nga populli. Përplasja më e madhe publike mes dy politikanëve u shënua në bllokimin në Kuvend të dekreteve të presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kreu i shtetit i propozoi Parlamentit emrat e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por maxhoranca i rrëzoi në Kuvend me pretendimin se kreu i shtetit nuk është konsultuar me Kuvendin. Në fakt, dekretet u rrëzuan pasi nuk gëzonin pëlqimin e kreut të qeverisë. Ndërkaq, përplasjet e vazhdueshme të dy përfaqësuesve të sistemit gjyqësor, ministrit të drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, janë parë si përplasjet de fakto midis Berishës dhe Topit. Kreu i qeverisë, përveç akuzave ndaj Topit për krijimin e një pakice bllokuese në Kuvend, e ka cilësuar si përgjegjës për emërimin e kryeprokurores Ina Rama, e cila nuk ka mbajtur anën e PD-së. Nga ana tjetër, edhe presidenti Topi ka rrëzuar disa nisma të PD-së, siç ishin ndryshimet në ligjin e legalizimeve, me të cilat PD-ja synonte të merrte kompetencat e pushtetit vendor. Ndërkaq, Topi nuk dekretoi ligjin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të regjimit komunist për shkak se nuk u votua nga opozita, e cila e cilësoi antikushtetuese nismën e PD-së. Marrëdhëniet e ndera mes palëve duken edhe në situatën aktuale politike, kur kryeministri i vendit nuk shkon në Presidencë për të marrë dekretimin që i jep të drejtën për të krijuar qeverinë e re.
Përplasjet
Ndryshimet kushtetuese tkurrën kompetencat e Presidentit
Heqja nga lista e deputetëve mbështetës të tij
Akuzat e Berishës ndaj Topit për krijimin e një pakice bllokuese në Kuvend
Përplaset Alibeaj-Spahiu janë parë si përplasje Berisha-Topi
Bllokimi i dekreteve për anëtarët e Gjykatës së Lartë
Përplasjet për disa ndryshime në ligjin e Legalizimeve
Presidenti Topi nuk ka mbajtur ende një qëndrim zyrtar për zgjedhjet
Ndjekja e politikave të ndryshme për situatën në rajonin e Ballkanit
10 Shtator 2009