E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha merr pjesë në përurimin e zgjerimit të aeroportit “Nënë Tereza”



Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mori pjesë dje në përurimin e zgjerimit të terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”. I filluar në vitin 2008, zgjerimi i terminalit kushtoi rreth 20 milionë euro dhe ka një kapacitet prej 1.5 milionë deri në 1.8 milionë pasagjerë në vit. Kryeministri Sali Berisha, duke e cilësuar si një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, theksoi se zgjerimi i këtij terminali e kthen aeroportin “Nënë Tereza” në arritjen më të mirë dhe investimin më të shkëlqyer në këtë vend. Në perurimin e zgjerimit të terminalit të aeroportit “Nënë Tereza” merrnin pjesë disa ministra, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës John L. Withers dhe ambasadorin e Gjermanisë, Bokard. Në fjalën e tij përshëndetëse kryeministri Sali Berisha premtoi se shumë shpejt do të nisë faza e tretë e zgjerimit të këtij aeroporti, ndërsa shprehu kënaqësinë që punimet për fazën B përfunduan në kohë rekord, siç e cilësoi dhe ai. “Dua të shpreh kënaqësinë time të madhe që në një kohë rekord ne përurojmë finalizimin e punimeve të fazës B të Aeroportit të Tiranës, fazë e cila filloi ndërtimin në vitin 2008 dhe përfundoi në kohën më të shkurtër. Së pari dua të theksoj se ky aeroport është bërë pasaporta më e shkëlqyer e Shqipërisë, me shërbimet e shkëlqyera që ofron, me sigurinë e madhe që garanton, me arkitekturën që përshtatet plotësisht me peizazhet që rrethojnë, personelin e përgjegjshëm dhe shumë profesional që e drejton. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ‘Nënë Tereza’ është absolutisht arritja më e mirë dhe investimi më i shkëlqyer në këtë vend. Faza e dytë e Aeroportit është dëshmi e ritmit të ndryshimit të Shqipërisë”, - është shprehur Berisha.

Liri Berisha merr çmimin “Gruaja e vitit”, nga rrjeti i Informacionit të Grave në Uashington

Bashkëshortja e kryeministrit Berisha, Liri Berisha, u nderua me çmimin “Gruaja e vitit për arritjet ndërkombëtare”. Këtë çmim zonja Berisha e mori gjatë një mbrëmjeje gala, të zhvilluar dje në Uashington, për nder të zonjës Liri Berisha, nga rrjeti i Informacionit të Grave, një prej organizatave më të rëndësishme profesionale, politike dhe sociale dedikuar mbështetjes dhe fuqizimit të aktivitetit të grave dhe vajzave demokrate amerikane. Ky rrjet është themeluar në vitin 1989 dhe bazohet mbi idenë se gratë mund ta ndihmojnë njëra-tjetrën drejt arritjes së suksesit. Ky çmim i lartë i jepet znj. Liri Berisha me motivacionin “Për angazhimin e saj në botën e gruas, veçanërisht për gratë në nevojë dhe për punën e saj të palodhur për ta bërë botën një vend më të mirë për gratë dhe për të gjithë qytetarët”.

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›