Topi dekreton dy gjyqtarë Apeli në Tiranë
TIRANE - Dy prej gjyqtarëve të Apelit të kryeqytetit, të emëruar pak ditë më parë nga KLD, janë dekretuar mesditën e djeshme nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, për të filluar punë në Shkallë të Dytë. Me dekretet numër 6570 dhe 6571 kreu i shtetit ka emëruar dy gjyqtarët Astrit Haxhialushi dhe Genti Shala në Apelin Tiranë. "Zoti Astrit Haxhialushi, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë" dhe "Zoti Genti Shala, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë", thuhet në dekretet e Presidentit, të cilët hyjnë në fuqi menjëherë. Tashmë listës prej pesë gjyqtarësh që iu shtuan radhëve të togave të zezat Shkallës së Dytë në kryeqytet, i kanë mbetur pa u dekretuar Artan Broci, Gramoz Levanaj dhe Ridvan Hado. Krahas këtyre, KLD transferoi pak ditë më parë edhe tre gjyqtarë të Shkallës së Dytë nga rrethet në kryeqytet, duke plotësuar vendet vakante në këtë institucion. f.m.