Sezoni turistik, ja plani i masave
zirina llambro
Pas çeljes së sezonit turistik, Ministria e Shëndetësisë bën publik planin e masave për të evituar epidemitë. Ministri Vasili ka firmosur urdhrin që është dërguar tashmë në strukturat e Inspektoratit Sanitar. “Ky urdhër do të nxisë mbikëqyrjen dhe monitorimin mjedisor, duke pasur si prioritetin kryesor monitorimin e ujit të pijshëm dhe mbajtjen nën kontroll të situatës, përsa i përket dezinfektimit të tij, si dhe përmbushjen e normave higjieno-shëndetësore në tërësi”, bën me dije Ministria e Shëndetësisë. Gjatë sezonit, në të gjitha zonat turistike duhet të ndiqet me përparësi situata higjienike dhe epidemiologjike. Po kështu, Drejtoritë e Shëndetit Publik të organizojnë punën për funksionimin korrekt të shërbimit shëndetësor dhe të intensifikojnë punën në drejtim të kontrolleve. “Në hotele, restorante, të ndiqen me kujdes problemet në drejtim të zbatimit të rregullave të përgjithshme higjieno-sanitare në objekt, pajisjes me Akt-Miratim higjieno-sanitar, pajisjes së punonjësve me librezë shëndetësore, dhe të kujdesit që duhet ushtruar për dezinfektimin, deratizimin e dezinsektimin e mjediseve të brendshme dhe të jashtme”, thuhet në urdhër. Sipas tij,
vëmendje e veçantë duhet të bëhet për zbatimin e normave, ruajtjen, përpunimin etj, të produkteve ushqimore në aktivitetet e lart përmendura, për të shmangur infeksionet dhe intoksikacionet me origjinë ushqimore. “Për të forcuar dhe mbajtur nën kontroll situatën në lidhje me intoksikacionet dhe sëmundjet me origjinë ushqimore, është e domosdoshme që të forcohet survejanca higjienike dhe epidemiologjike. Në çdo episod apo shpërthim me origjinë ushqimore të merren me korrektësi dhe urgjent të gjitha masat e nevojshme në kohën e duhur”, përcakton urdhri që mban firmën e ministrit Vasili.
masat
Në të gjitha zonat turistike duhet të ndiqet me përparësi situata higjienike dhe epidemiologjike në vazhdimësi
Drejtoritë e Shëndetit Publik të organizojnë punën për funksionimin korrekt të shërbimit shëndetësor dhe të intensifikojnë punën në drejtim të kontrolleve.
Shërbimet e Higjienës Epidemiologjisë duhet që të fuqizojnë kontrollet higjieno-sanitare dhe epidemiologjike për parandalimin e shfaqjes së shpërthimeve të ndryshme.