E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katërmujori i parë 2010, sa i keq!

Ilir Beqja

Në datën 18 maj 2010, në web faqen zyrtare të Ministrisë së Financave është publikuar pasqyra fiskale e 4 mujorit janar – prill 2010. Fakti që pasqyra fiskale është publikuar është lajm i mirë. Ministria e Financave, që prej nëntorit 2009 kishte harruar të publikonte në kohë të dhënat fiskale zyrtare. Iu rikthye publikimit që në prill 2009, pas kërkesës zyrtare që kreu i grupit tonë kuvendor, Gramoz Ruçi i bëri Kryetares së Kuvendit në 22 prill 2010. Transparenca e të dhënave të ekonomisë është edhe një nga kërkesat që ne grevistët e urisë, prej 19 ditësh i kemi bërë Sali Berishës. Mesa duket, presioni ynë po bën efekt.
* * *
Përtej shpresës për rivendosjen e transparencës për të dhënat e ekonomisë, le të shohim çfarë tregojnë shifrat, çfarë duket në lexim të parë dhe çfarë fshihet pas tyre. Më poshtë keni një pasqyrë të përmbledhur të të dhënave kryesore të të hyrave fiskale (shifrat janë në milionë lekë në secilën e tabelave). Le t'i analizojmë me radhë në mënyrë të përmbledhur. Në këtë analizë duhet pasur parasysh që në 4 muajt e parë të vitit 2010 kemi një inflacion mesatar 4 %, dhe një nënçmim të monedhës tonë, lekut, me të paktën 7 %. Të ardhurat në total janë rritur me 3.1 %, pra më pak se inflacioni. Në këtë situatë ka ndikuar edhe "injeksioni" që i ka dhënë të hyrave Banka e Shqipërisë me transferimin e një tatim fitimi që nuk gjen justifikim bindës. Të ardhurat tatimore janë rritur 1.5 %. Rritja është 2.5 herë më pak se inflacioni. Tatimi mbi vlerën e shtuar është rritur 4.9 %. Në pamje të parë kjo rritje është 0.9 % më e lartë se inflacioni, por TVSH do të përpiqemi ta analizojmë më hollësisht në vijim.
Akciza është shtuar 12.6 %. Ky është efekt i drejtpërdrejt i ndryshimit të legjislacionit tatimor. Nuk është meritë as e përmirësimit të ekonomisë dhe as e performancës së administrimit fiskal. Tatimi mbi Biznesin e Vogël është pakësuar me një vlerë neto prej - 9.5 %. Dëshmi e qartë e vuajtjes që ndjen kjo kategori sipërmarrësish të vegjël e familjarë. Tatimi mbi fitimin, ose siç i pëlqen ta quajë Ministrit tonë të Financave, tatimi i korporatave, është pakësuar neto me - 5.5 %. Dëshmi e qartë se edhe korporatat po fitojnë më pak në Shqipëri. Tatimi mbi të ardhurat personale është pakësuar neto me - 4 %. Dëshmi e qartë se edhe individët kanë të ardhura më të pakta se një vit më parë.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i zhveshur nga efektet
Tatimi mbi vlerën e shtuar është taksa më e konsoliduar në Shqipëri dhe njëherësh taksa me kontributin më të madh në të hyrat në buxhetin e shtetit. Analiza nuk është e lehtë, sepse dy 4 mujorët që po analizojmë nuk kanë bazë të njëjtë. Në vitin 2010, pragu i xhiros për efekt të pagesës së TVSH-së është ulur nga 8 milionë, në 5 milionë lekë, madje për disa profesione të rregulluara ai është ulur në 2 milionë lekë. Në mungesë të informacionit për efektet që vijnë nga ulja e pragut, analizën do ta përqendrojmë në zhveshjen e efekteve të kursit të këmbimit, të inflacionit, të rritjes së të ardhurave thjesht nga rritja e akcizës dhe të rritjes së çmimeve të rregulluar administrativisht. Në seri kohore që prej vitit 2003, rezulton që 65 - 70 % e TVSH-së mblidhet në doganë, pra është nën ndikimin e drejtpërdrejt të luhatjeve të kursit të këmbimit të lekut me euron ose dollarin. Në mungesë të një informacioni të detajuar për 4-mujorin, po zbatoj vlerësimin pesimist, sipas të cilit, leku është nënçmuar me të paktën 7 %. Pjesa tjetër e TVSH-së që arkëtohet, si pasojë e qarkullimit të brendshëm të mallrave dhe shërbimeve është nën ndikimin e luhatjes së çmimeve. Në makroekonomi përdoret deflatori i GDP e në mungesë të tij po përdor inflacionin. Nëse do të zhveshim nga inflacioni efektin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, inflacioni 4-mujor nga 4 % zbret në 3.5 %.
Në fillim analizojmë rritjen e akcizës. Akciza është pjesë e kostos së artikullit dhe për pasojë një pjesë e rritjes së TVSH-së vjen thjesht nga rritja e akcizës. Nga rritja e çmimit të energjisë elektrike vjen automatikisht edhe rritja e TVSH-së. Sipas ERE-s, energjia elektrike është rritur 10 %, e për pasojë në tre muajt e fundit shkurt - prill, janë arkëtuar shtesë në TVSH 225 milionë lekë. Gjithë sa më sipër jepet në tabelën e mëposhtme. çdo kush është i lirë të bëjë veprimet në mënyrë të pavarur. Pra, në 4 muajt e parë të vitit 2010, qarkullimi i mallrave dhe shërbimeve, i zhveshur nga efektet e analizuara më sipër, rezulton të ketë një rënie me - 2.5 % krahasuar me 4 muajt e parë të vitit 2009. Për të bërë një vlerësim më të plotë, të qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve, në kushtet e ndryshimit të pragut të TVSH-së, po bashkojmë TVSH-në e zhveshur nga efektet me tatimin mbi biznesin e vogël (të zhveshur nga inflacioni 4 %). Kjo analizë më e fundit e çon në - 2.9 % rënien e vërtetë të qarkullimit të mallrave e të shërbimeve në Shqipëri, në 4 muajt e fundit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Kjo është, pra, e vërteta e zhvillimit të ekonomisë së vendit, e korporatave, e biznesit të vogël e familjar, e buxheteve familjare të punësuar, pensionistë, të papunë e në ndihmë ekonomike. Nuk kam sot as më voglin dyshim se ekonomia është keq, se vazhdon të ketë rritje negative, dhe as më të voglin ngurim ta deklaroj, pavarësisht çfarë përrallis Kryeministri, fsheh Guvernatori, apo shkruajnë në tranzite evropiane, pseudoekspertë të huaj që merakun e kanë te "per diem" dhe ku do bëjnë pushimet verore.
* * *
Ndërsa shkruaja këto radhë, u raportua që një tjetër minator nuk doli i gjallë nga galeria e kromit sot. As daljet televizive të Ministrit të Ekonomisë në ditët e fundit nuk i ndaluan vdekjet në minierat e kromit. Ka kohë që Kryeministri na mburret për mrekullinë e eksporteve shqiptare. Eksporte që është e qartë botërisht se bazohen në tri herë përmbytjet e nënshkodrës dhe në vdekjet e përjavshme në minierat e kromit. Dëshmi e qartë se çfarë barbari kemi për Kryeministër. Në daljen e përjavshme tragjikomike të së mërkurës sot (dje), nuk pati guximin të shprehte ngushëllimet për familjen e të ndjerit Muharrem Omuri nga Krasta, nuk gjeti dot as një moment njerzillëku që të kursente të qeshurën e tij patollogjike para kamerave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›