E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndetësia në reformimin e parë me tipare evropiane

Prof.Ass.Dr.Pëllumb Pipero*

Prej 20 vjetësh Shqipëria dhe shqiptarët janë në një proces të vrullshëm transformimesh. Ritmet e larta të zhvillimit, sidomos në vitet e fundit, kanë kulmuar me pranimin e vendit tonë në NATO. Angazhimet ambicioze të vendit tonë dhe përparësitë serioze të Qeverisë shqiptare janë liberalizimi i vizave dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pikërisht për këto synime madhore Qeveria ka ndërmarrë dhe po ndërmerr reforma të thella në të gjitha fushat, me qëllim përafrimin me vendet anëtare të BE-së.
Në këtë kuadër, edhe sistemi shëndetësor shqiptar ka nisur prej muajsh reforma të thella e të ndjeshme në cilësinë e ofrimit të shërbimit shëndetësor. Megjithëse është një terren i vështirë, kompleks, përditshmërisht i prekshëm dhe pretendues, sistemi shëndetësor shqiptar po merr përditë e më shumë fytyrën e simotrave të saj evropiane.
Koncepti i reformave
Shqipëria jeton në sistemin e ekonomisë së tregut. Të gjithë sektorët e saj, privatë, por edhe shtetërorë, janë përshtatur dhe po përshtaten përditë në këtë sistem, i cili duhet thënë se pranohet jo pa vështirësi nga konsumi i gjerë shoqëror. Kësaj situate nuk i ka shpëtuar edhe shëndetësia shqiptare, e cila duhet thënë që në krye të herës, duhet t’i drejtojë sytë pikërisht në realitetin e ri, duke u munduar të përshtatet me mentalitetin dhe realitetin e tregut.
Kërkesat për një shëndet sa më të mirë dhe sa më të gjatë kanë ardhur në rritje. Po ashtu, edhe kërkesat për cilësi, shpejtësi dhe saktësi. Shëndetësi sot duhet konsideruar si një “produkt” në realitetin e tregut. Pikërisht për të siguruar cilësinë e këtij “produkti” reformat e ndërmarra janë të lidhura ngushtësisht me standardet që ofrohen, me cilësinë, me performancën, efektivitetin e sigurinë.
Por nuk duhet harruar se reforma në shëndetësi, krahasuar edhe me reformat në sektorë të tjerë, është ndër më të vështirat, nisur nga mentaliteti jo shumë “shëndetësor” i trashëguar, por edhe nga lënia pas dore vit pas viti të këtij sektori të rëndësishëm, duke e konsideruar si një sektor ku vetëm mund t’i marrësh, në të gjitha kuptimet. Le të mos harrojmë gjithashtu, se edhe vende shumë të fuqishme në botë nuk e kanë pasur të lehtë reformën në shëndetësi, sepse ajo është shumë e ndjeshme tek qytetari dhe e prekshme çdo ditë. Thënë me pak fjalë, që të kenë të gjithë një shëndet të mirë, duhet që reforma t’i prekë të gjithë qytetarët, pa dallim dhe nga ana tjetër, vetë qytetarët duhet të kuptojnë sa më shpejt se edhe shërbimi shëndetësor është pjesë e ekonomisë së tregut dhe si të gjithë sektorët shqiptarë, ka dalë nga falsiteti i ofrimit falas.
Katër janë shtyllat kryesore që po përjetojmë dhe po performohen deri tani me sukses: a) Rritja dhe përmirësimi i aksesit për shërbimin shëndetësor. B) Rritja dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit shëndetësor. c) Fuqizimi dhe përmirësimi i kapaciteteve menaxheriale të shërbimit shëndetësor. d) Shtimi dhe përmirësimi i burimeve financiare të shërbimit shëndetësor.
Zhvillimi i reformave
Prioritet i reformës në shëndetësi, ndërmarrë së fundmi është zgjerimi i aksesit në ofrimin e shërbimit shëndetësor kudo ku jeton komuniteti. Në mënyrë paralele punohet për të mos ulur, por për të ngritur cilësinë e shërbimit, duke ofruar paketa shërbimesh efikase, sipas niveleve të organizimit të sistemit në fshat dhe qytet. Natyrshëm nuk do të ketë një mjek për çdo banor, por të gjitha kapacitetet profesionale, duke nisur nga më të ulëtit deri tek më të lartët, do të ofrojnë jo vetëm ndihmën shëndetësore, por edhe edukimin shëndetësor, parandalimin e sëmundjeve infektive, vaksinimin dhe shëndetin e nënës e fëmijës si dhe komunikimin e vazhdueshëm me mjekun.
Suksesi i reformës ka ardhur edhe si pasojë e kalimit të sistemit parësor nën administrimin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, duke i dhënë frymëmarrje dhe autonomi këtij shërbimi, duke afruar njëkohësisht në vendimmarrje pushtetin vendor. Për herë të parë në vendin tonë është aplikuar “sistemi i referimit”, i cili sjell në qendër të sistemit mjekun e familjes dhe mjekun specialist, duke krijuar kështu filtrin e nevojshëm për disiplinimin e sistemit shëndetësor. Natyrisht, kjo eksperiencë e re për Shqipërinë nuk duhet parë me skepticizëm dhe dashakeqësi, por duhet kuptuar si një proces dinamik, i cili po na jep eksperiencën e nevojshme, mbi bazën e së cilës do bëhen dhe përmirësimet e nevojshme në të ardhmen.
Një tjetër prioritet parësor i reformës në shëndetësi, ku po performohet me sukses, është edhe përmirësimi dhe rritja e cilësisë së shërbimit shëndetësor. Sot janë të reja konceptet, standarde, performancë, siguri, pagesë e shpërblim, efektivitet, edukim në vazhdim, kredite dhe konkurrencë për vendin e punës, por pikërisht këto risi sjellin edhe ndryshimin aq shumë të dëshiruar dhe të pritur në vite me radhë për sistemin shëndetësor. Nuk duhet pritur që efektet të vërehen brenda një dite, por gjithsesi nuk mund të bësh të verbrin ndaj ndjeshmërisë pozitive, pas zbatimit të këtyre reformave.
Sidomos kur në funksion të këtij procesi janë ngritur edhe dy institucione të reja, Qendra Kombëtare e Akreditimit, Sigurisë dhe Cilësisë si dhe Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Për ekipin drejtues si dhe për Qeverinë e sotme shqiptare, edukimi dhe trajnimi i personelit shëndetësor mbetet prioritet i prioriteteve.
Një tjetër risi është përgatitja e Udhëzuesve të Praktikës Klinike dhe e Protokolleve të Trajtimit, që i shërbejnë cilësisë së shërbimit dhe që deri tani kanë munguar. Këto shërbejnë jo vetëm për praktikën e përditshme klinike, por edhe për të mundësuar më në fund llogaritjen e kostos të shërbimeve shëndetësore dhe përgatitjen reale të spitaleve, për atë që sot quhet me druajtje “treg i shëndetit”, por që realisht duhet krijuar bindshëm, duke ia komunikuar edhe komunitetit me shpjegimin e qartë dhe të saktë se, shërbimi shëndetësor nuk mund të jetë në asnjë kohë as falas e as i falur. Komuniteti duhet të ndërgjegjësohet se ashtu si paguan para për të mbajtur p.sh një makinë brenda rregullave ligjore, ashtu duhet të shpenzojë para për të mbajtur mirë shëndetin e tij. Kjo do të sjellë edhe çlirimin e çdo lloj qeverisjeje nga barra e mbajtjes së sistemit shëndetësor njësoj si 20 vjet më parë dhe përqendrimin e buxhetit në investime strategjike për shëndetësinë.
Nxjerrja e kostove të shërbimit, apo e thënë ndryshe, përgatitja e “produktit” për shitje tek një apo disa blerës, në rastin tonë ISKSH, do të mundësonte autonominë e vërtetë të shërbimit spitalor dhe do të rriste në mënyrë të qëndrueshme të ardhurat e spitaleve në raport me performancën, do të mundësonte mirëmbajtjen e pajisjeve e aparaturave dhe zëvendësimin e tyre me moderne e bashkëkohore dhe do përmirësonte në mënyrë të ndjeshme aftësitë menaxhuese të tyre.
Rajonalizimi i sistemit spitalor
Mendoj se kjo është një hallkë e rëndësishme e përmirësimit të cilësisë së shërbimit shëndetësor. Ai mundëson përqendrimin e teknologjisë bashkëkohore dhe shfrytëzimin e saj me kapacitet të plotë, përqendrimin e kapaciteteve njerëzore dhe edukimin e trajnimin e tyre profesional si dhe maksimalizimin e shfrytëzimit të njohurive të tyre profesionale në shërbim të qytetarëve. Krahas kësaj, një pikë e nxehtë e reformës, e cila mund të kalojë edhe përmes debateve politike, mbetet kthimi i spitaleve të shumë qyteteve e rretheve në “Day Hospital”, apo spitale ditore. Sot ne kemi shumë të tillë që quhen spitale, të cilët marrin dhe konsumojnë vazhdimisht fonde të mëdha, por pa dhënë asnjë produkt. Kthimi i këtyre spitaleve në ditore, me një ekip mjekësh të specializuar, kryesisht në menaxhimin e urgjencave mjekësore, një infrastrukturë adekuate diagnostikuese e mjekuese me prioritet urgjencat mjekësore si dhe përmirësimi i infrastrukturës transportuese për në spitalet rajonale, do të përmirësonte në mënyrë të ndjeshme cilësinë e shërbimit shëndetësor. Ne e shohim si kontribut të rëndësishëm sistemin privat shëndetësor, por ato duhen ndjekur me vëmendje dhe paraprirë me logjistikën ligjore e dokumentet rregullatorë për të qenë nën kontrollin e Ministrisë së Shëndetësisë, si përgjegjëse e mandatuar e Qeverisë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Rritja dhe përmirësimi i kapaciteteve menaxheriale të shërbimit shëndetësor, veçanërisht atij spitalor, është një tjetër aspekt i rëndësishëm i reformës. Për mendimin tim, burimet menaxheriale duhen gjendur nga resurset njerëzore brenda sistemit shëndetësor, është më e lehtë dhe më e thjeshte të trajnohen ata si menaxherë të sistemit, sesa të ambientohen e orientohen si menaxherë të shëndetit juristë, inxhinierë, apo ekonomistë. Këto prurje, në kushtet aktuale të vendit, kanë treguar se janë jo rezultative dhe afatshkurtra e me kosto të larta.
Natyrisht që nuk mund të lihet pa përmendur si themel të reformës rritja dhe miradministrimi i burimeve financiare. Sot jemi shumë larg nevojave reale për një shërbim cilësor dhe efikas. Sipas studimit më të fundit të Bankës Botërore, Shqipëria shpenzon më pak se shumica e vendeve të tjera të rajonit. Këtu ka një kontrast të fortë mes kërkesës dhe ofertës, sepse shqiptarët natyrisht kërkojnë trajtim më se cilësor, por oferta sot për sot mbetet ende jo në nivelet e kërkuara. Natyrisht, me një shpenzim për shëndetësinë vetëm 6.7 për qind të GDP kur vendet e BE shpenzojnë 9-12 për qind të GDP dhe SHBA 15.4 për qind, vendi ynë është larg arritjes së këtyre vendeve.
E gjithë klasa politike duhet të ketë një reflektim serioz për nevojat reformuese afatgjata në sistemin shëndetësor shqiptar. Megjithëse nga viti në vit buxheti i shëndetësisë ka rritje në vlerë absolute dhe relative, mendoj se ende nuk jemi në shifrat e duhura. Megjithatë janë hedhur hapat e parë të rëndësishëm në përmirësimin e financimit të sistemit tonë shëndetësor, siç janë administrimi dhe përdorimi i të ardhurave dytësore në masën 100 për qind nga institucionet shëndetësore, duke përmirësuar dukshëm cilësinë e shërbimit. Po ashtu, aplikimi dhe vendosmëria për të zbatuar sistemin e referimit dhe vendosja e tarifave të shërbimit për qytetarët e pasiguruar, ka rritur në mënyrë të ndjeshme të ardhurat dytësore apo interesimin e qytetareve për t’u siguruar.
Ndonëse masa e sigurimeve është, do të thosha simbolike, vetëm 3,4 % e të ardhurave, nga të cilat 1,7% i paguan punëmarrësi dhe 1,7% i paguan punëdhënësi, është shumë e rëndësishme që këto kontribute të paguhen e të hyjnë në sistem.
Duhet kuptuar se shëndeti dhe kujdesi për të nuk është falas, ndaj duhet siguruar. Kushton shumë më lirë nëse sigurohesh, por shumë herë më shtrenjtë nëse je i pasiguruar.
Së fundmi, duke i ftuar të gjithë kolegët e mi për diskutime dhe oponencë profesionale, dua ta përfundoj me një kujtesë për të gjithë aktorët dhe faktorët që kanë lidhje me sistemin shëndetësor se, reforma është një proces dhe ndërmarrje politike dhe profesionale, e vështirë dhe e dhimbshme, por e domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e sistemit shëndetësor për të ardhmen e gjithë shqiptarëve.

*Pedagog në Fakultetin e Mjekësisë
Drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Planifikimit Shëndetësor
Ministria e Shëndetësisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›