Berisha: Ndryshimet në qeveri, në kohën e duhur
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Bukureshti pas marrjes së ftesës së Shqipërisë për në NATO se ndryshimet në qeveri do të bëhen në kohën e duhur. "Sfidat e Shqipërisë kanë të bëjnë me procedimin me reforma të thella. Shqipëria duhet t‘i përgjigjet me seriozitetin më të madh vlerësimit serioz që i është bërë asaj në historinë e saj", u shpreh Berisha. Ndryshimet në kabinetin qeveritar ishin paralajmëruar nga Kryeministri Berisha menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit. "Këto janë reforma që janë realizuar nga një ekip dhe në këtë kontekst është ky ekip që i solli Shqipërisë këtë rezultat. Natyrisht në çdo rrethanë të nevojshme mund të ndërmerren përmirësime të mëtejshme", tha Berisha, duke iu referuar ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Kryeministri ka paralajmëruar që këto lëvizje do të bëhen në një moment të përshtatshëm, ndërkohë që vendi aktualisht duhet të mendojë për të vazhduar edhe më tej reformat, duke filluar nga ajo zgjedhore dhe në drejtësi, për të konkretizuar më pas edhe reformat e tjera.