Islami: “I kemi votat për të ndryshuar Kushtetutën”
Bashkëkryetari socialist për Komisionin e Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami, tha se propozimi i PS-së për reformën zgjedhore duhet të kalojë më parë nga ndryshimi i Kushtetutës dhe më pas propozimet të diskutohen në Komisionin Parlamentar për Reformën zgjedhore. Islami tha se Partia Socialiste ka numrin e nevojshëm për të ndryshuar Kushtetutë, ndërkohë që ai shprehu të njëjtën bindje edhe për numrin e votave nga ana e maxhorancës. “Unë mund t’ju flas në emër të Partisë Socialiste. Është një amendament që është firmosur nga 33 veta. Nga konsultimet paraprake rezulton që edhe PSD-ja do ta mbështesë këtë ndryshim kushtetues, sigurisht duke pasur edhe ajo propozimet e saj, ndoshta në vijim, kur të reflektohen në Kodin Zgjedhor. Pjesa tjetër i mbetet maxhorancës për të thënë se cili është numri i votave që ajo ka në dispozicion. Pra ne kemi vënë maksimumin e votave në dispozicion të paktën nga këndvështrimi i PS-së për të miratuar këtë amendament kushtetues. Natyrisht, edhe një herë tjetër e përsëris se krahas votave të maxhorancës, ne do të ftojmë të gjithë aktorët politikë, pavarësisht nga dimensionet për ta mbështetur këtë amendament kushtetues”, - tha ai.
7 Prill 2008