Topi dhe Berisha, homazhe në ambasadën polake
Krerët e shtetit shqiptar kanë përcjellë sërish ngushëllimet në emër të shqiptarëve për vdekjen e Presidentit të Polonisë, Leh Kazinski, bashkëshortes së tij dhe personaliteteve të larta të këtij vendi, që humbën jetën në një aksident ajror. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe Kryeministri, Sali Berisha, kanë bërë homazhe dje në ambasadën e Polonisë në Tiranë. Pasi u përul me respekt para fotos me shiritin e zi të çiftit të ndierë Kazinski të vendosur në mjediset e ambasadës polake, Presidenti Topi shprehu edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta dhe dhimbjen më të thellë të shoqëruar nga tronditja për vdekjen e parakohshme të kreut të shtetit polak dhe nënshkroi Librin e Zisë, duke theksuar para mediave të pranishme: “Natyrisht që edhe unë e kam të vështirë tani, sepse sikurse e thashë, kam pasur edhe njohje personale me Presidentin. Jam takuar shpeshherë me të. Kemi komunikuar për shumë gjëra të rëndësishme. Ka qenë një mik i Shqipërisë. Ka qenë një mbështetës i madh i integrimit të Shqipërisë qoftë në NATO, por edhe në Bashkimin Europian”. Ndërsa, Kryeministri Berisha, pasi ka bërë homazhe në mjediset e ambasadës, tha: “Shqiptarët ndajnë këtë dhimbje të madhe me kombin polak, me qeverinë polake. Në këtë tragjedi ata kanë humbur miq të mëdhenj dhe të çmuar, më kryesori Presidenti Kazinski, i cili do të vizitonte Shqipërinë dhe që, në të gjithë karrierën e tij politike, në çdo rast ka dëshmuar vetëm ndjenjat më miqësore dhe mbështetjen më të fuqishme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
#