Xhaferri: Do ta tërheq firmën nga Marrëveshja e Ohrit
Ish-kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbër Xhaferri, në një intervistë për të përditshmen maqedonase, “Dnevnik”, ka deklaruar se do ta tërheqë nënshkrimin nga Marrëveshja e Ohrit. Xhaferri theksoi gjithashtu se Marrëveshja e Ohrit fitoi karakteristika karikaturale me të cilat e humbi misionin e saj. “Akti i tërheqjes së nënshkrimit është akt moral dhe do të jetë sinjal se punët nuk po lëvizin në drejtim pozitiv. Më mirë të bëhet paralajmërim me simbolikë diplomatike, se sa të lëvizet në drejtim tjetër”, theksoi Xhaferri. Ai është shprehur se Maqedonia e ka humbur shansin të funksionojë në korniza unitare, si shtet multientik dhe ka ofruar modelin e federalizimit të Maqedonisë ose konfederatë. Ai nuk heq dorë edhe nga ideja për ndarjen e Maqedonisë. Në një intervistë për “Shqip” më 25 nëntor 2009, Xhaferri theksoi se “gjuha shqipe nuk është në asnjë dimension gjuhë zyrtare, ashtu si edhe nuk është arritur pajtimi ndërmjet palëve ndërluftuese. Shteti, ashtu si edhe populli maqedonas, në vend të pajtimit gjithnjë e më tepër bëjnë dallime ndërmjet palëve ndërluftuese: luftëtarët maqedonas trajtohen si mbrojtës të rendit kushtetues, ndërkaq shqiptarët, si agresorë që kanë hyrë në këtë mesele si mercenarë kështu që nga Marrëveshja e Ohrit, nuk mbeti asgjë thelbësore që do të ishte në funksion të korrigjimit të konceptit etnocentrik të shtetit dhe të bindjes se ai është pronë e një bashkësie etnike, asaj maqedonase”.
#