Dibra: Burgu i Krujës do kthehet në spital psikiatrik për të burgosurit
Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra sqaron projektin e ri për kalimin e burgut në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë
Ndërtesa që njihet si burgu i Krujës do të kalojë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe nuk do jetë më një vend i vuajtjes së dënimit, por një spital psikiatrik ku do trajtohen të dënuarit e sëmurë mendorë, për të cilët është vendosur mjekimi i detyruar. Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra publikoi ndryshimin në infrastrukturën e sistemit penitenciar, ku mes 4750 personash të burgosur, 331 prej tyre janë me çrregullime mendore. “Fjala është për të sëmurë mendorë me mjekim të detyruar. Është një kategori brenda të sëmurëve që normalisht nuk duhet të trajtohet në sistemin e burgjeve. Pikërisht ligji për të sëmurët mendorë e zgjidh këtë problem. Pra, nuk do jetë më Ministria e Drejtësisë, por do jetë Ministria e Shëndetësisë. Vitin tjetër është parashikuar në buxhet ana administrative. Ajo që ne kemi burg në Krujë, do kthehet në spital. Pra, folëm për të dënuarit me mjekim të detyruar. Ndërkohë që për sa i përket të dënuarve me probleme të lehta mendore, ata do trajtohen në spitalin e burgut apo në spitalin e burgut të Durrësit”, - u shpreh Dibra. Zyrtari i Burgjeve deklaron se në fillim të muajit dhjetor është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, ku të dënuarit dhe të paraburgosurit do të përfitojnë nga ligji i sigurimeve shëndetësore. “Ka nga ata të dënuar që vijnë me probleme, ka të tjerë që sëmuren gjatë trajtimit këtu në burg. E para është futja në skemën e sigurimeve shëndetësore të këtyre të dënuarve. Është një vendim i Këshillit të Ministrave që fillon nga zbatimi në fillim të vitit tjetër. Ndërkohë, është përgatitur ligji që do zgjidhë gjithë gamën e kësaj problematike”, - shtoi Dibra. Zyrtarisht nga Drejtoria e Burgjeve raportohet se për trajtimin me medikamente të të sëmurëve mendorë nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2011 është shpenzuar një fond prej rreth 5 milionë e 900 mijë lekësh të reja. Një javë më parë, një studim i Institutit Europian të Tiranës zbuloi se një në dhjetë të dënuar vuan nga problemet mendore në Shqipëri. Ky institut raportoi se rreth 400 të burgosur vuajnë nga problemet mendore, si pasojë e depresionit që sjell qëndrimi brenda katër mureve të ftohta të burgut. Studimi është kryer përgjatë periudhës prill/nëntor 2011nga Instituti Europian, ku shkaqet që kanë çuar në shtimin e të sëmurëve nga shëndeti mendor janë qëndrimi i izoluar dhe dhuna e ushtuar tek këta individë. Rasti më i keq është se këta të sëmurë nuk kanë ende një qendër të specializuar ku mund të trajtohen. Lidhur me këtë problematikë, ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi këshillon për përshpejtimin e proceduarave për një trajtim më të specializuar të të burgosurve që preken nga sëmundjet e shëndetit mendor. Ndërkaq ai ka kërkuar që në këtë drejtim të kihet kujdes, pasi ka pasur mjaft raste kur në kauzën e një shëndeti mendor të përkeqësuar, të burgosurit kanë lënë qelinë. Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Drejtësisë po përgatisin një draft të veçantë për kujdesin e shëndetit mendor në vendet e vuajtjes së dënimit. Ky projektligj kërkon trajtimin e të sëmurëve në burgje në nivel të barabartë si gjithë të tjerët. Sipas monitorimit të IET në vitin 2010, për personat me probleme të shëndetit mendor në sistemin e burgjeve paraqitet situatë problematike.