Topi dhe Rama bojkotuan ceremoninë e inaugurimit të ambasadës së Kosovës

Edvini keqpërdor mediat, ankohet se ai dhe Topi s’u ftuan nga Ministria e Jashtme në ceremoninë e inaugurimit të selisë së ambasadës së Kosovës në Tiranë.
Reagon ambasada e Kosovës: Kanë patur ftesë të gjitha autoritetet e larta të shtetit – s’ka ndërhyrje të Protokollit të shtetit shqiptar
Ministria e Jashtme: Pretendime absurde, Rama kërkon të cenojë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Shqipërisë
Një shkrim i botuar në një të përditshme të opozitës, ka shkaktuar reagimin e ambasadës së Kosovës në Tiranë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Bëhet fjalë për një keqpërdorim të vullnetshëm të lidershipit socialist. Rama ka pretenduar pranë medias së kontrolluar prej tij se ai dhe presidenti Topi s’kanë marrë ftesë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për ceremoninë e organizuar nga ambasada e Kosovës në Tiranë, me rastin e inaugurimit të selisë së kësaj ambasade në 4 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Por, është vetë ambasada e Kosovës që sqaron opinionin publik se ceremonia ishte një event i organizuar nga ambasada, ndërsa përurimi i rrugës “Ibrahim Rugova” ishte nismë e Bashkisë së Tiranës. Po ashtu, ambasada e Kosovës thekson se “në të gjitha ceremonitë e organizuara nga ambasada, ka ftuar të marrin pjesë të gjitha autoritetet më të larta të shtetit shqiptar”. Çka nënkupton se edhe për këtë rast, pra për ceremoninë e inaugurimit të ambasadës krahas krerëve të qeverisë, ministra, deputetë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, kanë qenë të ftuar edhe presidenti i Republikës, Bamir Topi si dhe kryetari i opozitës, Edi Rama. “Sqarojmë se nuk është në kompetencë të ambasadës së Kosovës në Tiranë, të bëjë ftesa për ceremonitë apo veprimtaritë që organizojnë institucionet e shtetit shqiptar, të nivelit qendror apo lokal. Sqarojmë gjithashtu se në veprimtaritë e organizuara nga ambasada e Kosovës në Tiranë, Protokolli i shtetit shqiptar, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë akses”- përfundon deklarata për shtyp e Ambasadës së Kosovës në Tiranë.
Reagimi i Ministrisë së Jashtme
Ministria e Punëve të Jashtme, duke marrë shkas nga disa media që pretendojnë përfshirjen e Protokollit të Shtetit në organizimin e ceremonisë së inagurimit të ambasadës së Kosovës në Tiranë, sqaron se “Protokolli i Shtetit, në bazë të ligjit, nuk ka asnjë detyrë funksionale apo përgjegjësi institucionale për organizimin e aktiviteteve të ambasadave të shteteve të tjera, të akredituara në Republikën e Shqipërisë”. “Shprehim keqardhjen e thellë për mungesën e profesionalizmit të treguar nga këto media në ngritjen e pretendimeve të tilla, të cilat, në çdo rast, nuk mund të përziejnë raportet midis faktorëve të brendshëm politikë me marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”- thuhet në një reagim të zyrës së shtypit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.