Muaji shkurt, detyrim për ngritjen e Komisionit të Verifikimit
Dërgimi i ligjit për pastërtinë e figurave në Fletoren Zyrtare ka përcaktuar procesin ligjor që duhet të ndiqet për zbatimin e ligjit për të hapur dosjet e diktaturës. Në ditët e para të muajit shkurt hyn në fuqi ligji i dosjeve, çka do të thotë se automatikisht për Kuvendin e Shqipërisë lind detyrimi për ngritjen e Komisionit të Verifikimit të Figurave Zyrtare. Në fillim të muajit të ardhshëm, Kuvendi duhet të ngrejë logjistikën e zbatimit të këtij ligji. Komisioni i posaçëm është detyrimi i vetëm i cili hap rrugën e vënies në jetë të këtij ligji. Në rast se ligji fillon zbatimin me përpikmëri, atëherë ky komision do të fillojë puna para zgjedhjeve të reja, duke bërë që çdo kandidat për deputetë të verifikohet. Do të duhet të zgjidhen 5 anëtarë, dy nga mazhoranca, dy nga opozita dhe një kryetar me konsensus, në mënyrë që ky komision të hapë dosjet për të gjithë zyrtarët e parashikuar në ligj. Nga ana tjetër, në rast se ka vullnet, ligji ka parashikuar çdo vonesë që mund t’i vijë përballë këtij procesi. Në rast se opozita refuzon të japë emrat e saj për anëtarët e Komisionit të Verifikimit, ligji ka parashikuar që deputetët me shumicë vote zgjedhin dy të tjerë nga shoqëria civile. Kjo do të bëjë të mundur që Komisioni të ngrihet sa më shpejt që të jetë e mundur. Subjekt i verifikimit janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme si: Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi. Zyrtarët që do të verifikohen janë anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive e deri tek anëtarët e këshillave bashkiakë apo komunalë. Çdo i përndjekur politik apo çdo person që ka jetuar në atë periudhë dhe ka qenë i bindur se ndiqej dhe spiunohej nga Sigurimi i Shtetit, mund të bëjë kërkesë për t’u njohur me gjithë aktivitetin që ka bërë Sigurimi për personin e tij. Pavarësisht se mund të marrë dosjen operative, viktima nuk mund të marrë si informacion se cili operativ i Sigurimit është marrë me dosjen e tij apo cili bashkëpunëtor i Sigurimit ka spiunuar. Ligji ka si qëllim kontrollimin e figurës së çdo funksionari politik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës, si dhe strukturat e Sigurimit të Shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990.
Kuvendi nis punën me reformën në drejtësi dhe imunitetet
Konferenca e Kryetarëve në Kuvend ka përcaktuar dje axhendën me të cilën deputetët do të nisin punën e tyre. Duket se reforma në drejtësi do të jetë në majën e axhendës. Komisionet përkatëse do të rinisin diskutimet për disa nga projektligjet e rëndësishme, ende të pamiratuara. Brenda janarit do të diskutohet projektligji për administratën gjyqësore, projektligji për gjykatat administrative si dhe projektligji për noterinë. Njëkohësisht, në axhendë janë edhe shumë projektligje të tjera të propozuara nga qeveria që lidhen me projekte në infrastrukturë. Një tjetër çështje e cila do të preket, do të jetë edhe kufizimi i imunitetit të deputetëve. PD dhe PS kanë arritur një marrëveshje paraprake në parim për të kufizuar imunitetet. Të dyja palët janë konsultuar me konstitucionalistët më të mirë të vendit dhe kanë vendosur të ndryshojnë Kushtetutën për këtë çështje. PD-ja ka kërkuar nga ana tjetër që kufizime imunitetesh të ketë për çdo zyrtar në piramidën shtetërore, veçanërisht në sistemin e drejtësisë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, e ka cilësuar imunitetin në drejtësi si pengesë për dhënie drejtësie. Por PS-ja e sheh kufizimin e imunitetit si një mundësi që mund të ndërhyhet në pavarësinë e sistemit. Nga ana tjetër, Bufi është shprehur në media se për imunitetin e deputetëve është arritur një marrëveshje, e cila vendos një standard të ri, të cilin e zbatojnë mjaft vende në Perëndim, si Italia apo Franca. Kështu, Prokuroria do ta ketë rrugën e lirë në rast se ajo dyshon se ndonjë deputet është i përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm. Kuvendi tashmë nuk do të mund të japë më leje për procedim penal, pasi Prokuroria do ta ketë këtë të drejtë ligjore pa kërkuar autorizim nga Kuvendi. Sipas amendimit kushtetues, Prokuroria mund të ndjekë penalisht një deputet, por nuk mund ta arrestojë apo të shkelë të drejtat e tij, pasi për këtë do të duhet autorizimi i Kuvendit. Gjatë kësaj legjislature do të ketë edhe mjaft raporte vjetore në Kuvend nga institucionet kushtetuese. Kjo do të jetë legjislatura e fundit e këtij mandati, pasi në datën 28 qershor do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.
Topalli: BE-ja besoi te Shqipëria Evropiane
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mblodhi dje seancë të posaçme me studentët e universiteteve me rastin e përfundimit të ratifikimit të MSA-së nga ku deklaroi se Evropa e bashkuar tashmë i ka besuar plotësisht Shqipërisë. “Nuk ka gjë më të bukur dhe më të veçantë që ta ndaj këtë arritje të jashtëzakonshme, këtë ëndërr kaq të madhe të brezit tonë, me brezin tuaj, sot. Në fakt, kjo është një ditë, kur ajo që pak vite më parë ishte një ëndërr kaq e largët për prindërit tuaj, sot të jetë në dorën tuaj”, - tha Topalli përpara studentëve. Ajo shpalosi më tej vizionin e saj për vendin dhe u premtoi të rinjve se vetëm në pak vite ata do të jetë tërësisht të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në vendet e Perëndimit. “Unë besoj se për një periudhë 6 -7-vjeçare, Shqipëria do të jetë e pranuar si anëtare me të drejta të plota në BE dhe ju do të jeni si të gjithë të rinjtë e Francës, Gjermanisë, Italisë. Do të lëvizni lirshëm, do të jeni të barabartë për të qenë në garë si gjithë të tjerët”, - tha Topalli. Kryetarja shtoi se vetëm pas pak muajsh, Shqipëria do të jetë pjesë e aleancës ushtarake më të madhe të botës. “Na kanë mbetur vetëm dy muaj e gjysmë afat, për të cilin, ne po vrapojmë fort për të bërë të mundur që parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, ta mbyllin ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit, brenda muajit mars”, - deklaroi Topalli. Përfaqësuesit e Këshillit Studentor dhe senatorë të universiteteve vlerësuan misionin e kryetares së Kuvendit, në përmbylljen e Ratifikimit të MSA-së, në një kohë shumë të shpejtë dhe lobimit që ajo po i bën ratifikimit të Protokollit të NATO-s.