E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, homazhe për nder të prokurorit Xhevat Hana

Kanë nisur homazhet për nder të prokurorit Xhevat Hana, ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. Homazhet po mbahen për rreth 1 orë në ambientet e Qendrës Kulturore të Ushtrisë dhe më pas trupi i pajetë i prokurorit Hana do të përcillet në banesën e fundit në varrezat e Tufinës.

Homazhe ka zhvilluar sot kreu i shtetit Bamir Topi i cili ka lënë edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve si dhe prokurorja e përgjithshme Ina Rama.  Gjithashtu homazhe ka zhvilluar edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i shoqëruar edhe nga deputetët socialist Fatmir Xhafa, Taulant Balla, Vasilika Hysi dhe Ditmir Bushati.
 

Dje pak pas orës 18:00 trupi i pajetë i prokurorit Xhevat Hana mbërriti nga Italia në aeroportin “Nënë Tereza” ku u prit nga familjarë dhe kolegë te tij.

Xhevat Hana, humbi jetën më 5 janar në një spital në Itali, për shkak të një sëmundje të rëndë, ndërkohë që kreu i shtetit, prokurorë e kolege, e kanë quajtur humbje të madhe ndarjen e tij nga jeta.

Xhevat Hana, ka lindur në Librazhd më 28.03.1953, e nisi karrierën e tij në organet e hetimit në Mat, në Sarandë në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, e më pas në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa vitet e fundit si prokuror pranë Prokurorisë Për Krimet e Rënda Tiranë.
Gjithshtu Z. Xhevat Hana në periudhën 2003-2005 ka qenë Këshilltar Juridik i Presidentit të Republikës, si dhe Ndihmës/komisioner në Institucionin e Avokatit të Popullit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›