Topi i përgjigjet Berishës: "Jam jashtë çdo ndikimi të politikës"

Lidhur me komentet e sotme politike të bëra nga ana e kryeministrit Berisha në konferencën e shtypit për ngjarjet në Kosovë, mbi pozicionin kushtetues të Presidentit të Republikës, zyra e Informimit Publik e Presidentit informon se:
“Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka qenë, është dhe do të jetë tërësisht në funksionin e tij kushtetues, jashtë çdo ndikimi dhe angazhimi direkt apo indirekt të partive politike. Çdo përpjekje apo aludim tjetër që tenton ta pozicionojë politikisht Presidentin, është e gabuar, spekullative dhe e pamoralshme.
“Përgjatë muajve të fundit, Presidenti Topi ka qenë objekt i sulmeve të tilla të padenja dhe denigruese, por me përgjegjësinë për nevojën e stabilitetit demokratik në vend, ai ka refuzuar të bëhet pjesë e kësaj loje, e cila ka të njëjtët aktorë dhe të njëjtat sjellje apolitike prej më shumë se një dekade. Për Presidentin, gjithnje ka mbizotëruar prioriteti publik; - nevoja që politika shqiptare të reflektojë nga gabimet e saj të përsëritura dhe me pasoja direkte për interesat kushtetuese dhe kombëtare të qytetarëve tanë. Për këtë qëllim, përmes apeleve publike, takimeve dhe korrespodencës zyrtare me institucionet politike e kushtetuese Presidenti ka nxitur aktorët politikë të reflektojnë përgjegjshmëri dhe vullnet politik për zgjidhjen e krizave dhe situatave penalizuese për qytetarët dhe vendin.
Në kohën kur Presidenti, ashtu si shumica e qytetarëve tanë dhe vetë partnerët ndërkombëtarë kanë qenë e janë në pritje të këtij reflektimi politik dhe masave konkrete, fatkeqësisht sjellja politike mbetet e njëjtë. Individë e institucione politike që kanë detyrë të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet, në mënyrë sistematike ia lejojnë vetes të krijojnë situata të paqëna, të shpikin vota dhe kundërshtarë politikë, të krijojnë tension artificial midis qytetarëve dhe institucionit të kreut të shtetit, si dhe të tërheqin vemendjen nga nevoja jetike që ka vendi për reforma të prekshme dhe rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Presidenti Topi ka refuzuar dhe refuzon të bëhet pjesë e këtij debati shterpë e të inskenuar, dhe siç e ka deklaruar edhe më parë, votimi i tij me 8 maj ka qënë korrekt. Çdo tentativë për intepretimin e votës nuk lidhet me atë mënyrë votimi, por me pergjegjesine ekskluzive te administrimit partiak të votave si dhe me skenarët e parapërgatitur nga autorë të këtyre inskenimeve.
Lidhur me debatin mbi qëndrimin e Presidentit për nevojën ose jo të ndryshimeve kushtetuese, Presidenti Topi deklaron se nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij debati dhe se qëndrimet e tij i ka bërë të njohura në kohë, ditë përpara votimit parlamentar të 21 prillit 2008, kur interesat politike të momentit dominuan nevojën për institucione funksionale e të qëndrueshme demokratike, të bazuara në parimin kushtetues të ndarjes dhe të balancës së pushteteve, përfundon më tej kjo deklaratë.”