E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi i pranishëm në samitin "Gazi natyror për Evropën”

Presidenti Topi ka marrë pjesë në samitin "Gazi natyror për Evropën, Siguria dhe Partneriteti", në Sofje. Gjatë fjalës së tij, Topi tha se Shqipëria inkurajon dialogun dhe partneritetin ndërmjet vendeve prodhuese dhe konsumatore. 

SOFJE- Presidenti, Bamir Topi ka marrë sot pjesë në samitin "Gazi natyror për Evropën, Siguria dhe Partneriteti", që zhvillon punimet në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje.
Në seancën e parë plenare të këtij Samiti, kiryetari i shtetit mbajti një fjalë në prani të pjesëmarrësve nga 28 vende të ndryshme.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Topi tha se Shqipëria inkurajon dialogun, kooperimin dhe partneritetin ndërmjet vendeve prodhuese, tranzituese dhe konsumatore, sepse është e dobishme që politikat e zhvillimit të orientohen si drejt rritjes së burimeve vendore, ashtu dhe drejt diversifikimit të furnizimit, me anë të integrimit të rrjeteve dhe të projekteve në infrastrukturat e mëdha të energjisë”.

Në vijim, presidenti Topi u shpreh se “për shkak të zhvillimeve të fundit në tregjet e naftës dhe të gazit, tashmë, është konsoliduar ideja e ndërtimit të koridoreve dhe linjave të reja, të furnizimit me energji nga burimet rreth Detit Kaspik dhe nga Lindja e Mesme drejt vendeve të rajonit tonë, Europës Qendrore dhe asaj Jugore”.

Edhe në këtë aspekt, kryetari i shtetit garantoi për mbështetjen e vendit tonë ndaj përpjekjeve dhe veprimeve konkrete në drejtim të kooperimit dhe integrimit të burimeve dhe të sistemeve të furnizimit me gaz, ndërmjet vendeve të Detit të Zi dhe të Europës Juglindore.
“Shqipëria ka një program të veçantë strategjik, që mbështet zhvillimin e burimeve dhe rrjeteve energjitike, për integrimin e tyre në tregjet rajonale dhe europiane, veçanërisht, projektin e gazsjellësit Trans – Adriatik që lidh Greqinë me Italinë nëpërmjet Shqipërisë, si dhe gazesjellësin Adriatik – Jonian, që lidh vendet e Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Presidenti Topi. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›