E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turi PS në Kolonjë, Rama: Nafta në fshat pa akcizë

Lideri i PS Edi Rama teksa ka vijuar turin e tij në Selenicë të Kolonjës duke zbërthyer programin e ri qeverisës të PS për bujqësinë, ka deklaruar para qytetareve se nafta për prodhimin në fshat do të jetë pa akcizë. 

KOLONJE- Lideri i Partisë Socialiste Edi Rama tek sa ka vijuar turin e tij në Selenicë të Kolonjës duke zbërthyer programin e ri qeverisës të Partisë Socialiste për bujqësinë ka deklaruar para qytetarëve se nafta për prodhimin në fshat do të jetë pa aksizë. Sipas Ramës ky është një premtim i pambajtur nga kryeministri Berisha.

“Ka qenë një premtim i këtij kryeministri i cili ka vërtet kurajon e një gënjeshtrai të pashërueshëm i cili vazhdon të shkoj në fshat, vazhdon ti premtoj fshatit pasi ka shkelur premtimin bazë të vitit 2005 lidhur me naftën. Ndërkohë që sot them me plot gojën bazuar mbi dëgjimin shumë të vëmendshëm të njerëzve që jetojnë në fshat dhe të një analize të ekspertëve tanë se nafta për prodhimin në fshat do të jetë pa aksizë”- tha kryesocialisti Rama.

Nga Selenica e Kolonjës Rama ka ritheksuar edhe njëherë atë pjesë të programit për bujqësinë, përjashtimi nga tatim fitimi për tre vjet për bizneset e reja agroindustriale. Para banorëve të Selenicës Rama ka theksuar se do të ndryshohen raportet e qeverisjes me fshatin, duke e parë atë si një burim mirëqënie për vendin. Me këtë koncept për fshatin Rama ka sqaruar se një nga pikat kryesore të programit të ri qeverisës së Partisë Socialiste do të jetë bujqësia dhe zhvillimi rural duke shpjeguar domosdoshmërinë e ngritjes së një dikasteri të veçantë për fshatin.

“Do ta zgjerojmë horizontin e vëmendjes ndaj fshatit dhe do ta trajtomë fshatin në mënyrë të posaçme duke ngritur një ministri e cila do ti përkasë fshatit dhe do të quhet Ministria e Zhvillimit Rural dhe do të trajtojë çështjen e madhe të mirëqënies së fshatit si një hallkë e pazëvendësueshme në zinxhirin e krijimit të mirëqënies së shoqërisë sot”- theksoi kryesocialisti Rama në fjalën e tij. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›