E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi mbështet Kolegjin: Të funksionojë ligji!

Presidenti pret në takim trojkën e ambasadorëve: Palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit

Në prag të shqyrtimit të ankimimit të Partisë Socialiste për rezultatin e Tiranës, Kolegji Zgjedhor ka marrë mbështetje nga kreu i shtetit, Bamir Topi. Presidenti zhvilloi dje një takim pune me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Arvizu, me kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi, si dhe me kreun e Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth. Biseda në këtë takim u përqendrua në situatën paszgjedhore në vend, duke vënë theksin në domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të datës 8 Maj sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me durim e qetësi të gjykimit përfundimtar të paanshëm, profesional, të drejtë, ligjor e të pavarur nga ana e institucioneve që lidhen me këtë proces. Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi ndau shqetësimin e njëjtë lidhur me situatën paszgjedhore dhe efektet e saj, duke pasur parasysh edhe deklaratën e përbashkët të Baroneshës Ashton dhe komisionerit Fule, vlerësoi kontributin e vyer dhe rolin e jashtëzakonshëm të ambasadorëve Arvizu, Sekui dhe Wollfarth për kapërcimin e kësaj sfide, duke ndarë të njëjtin mendim me ta në këtë drejtim. “Procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit! Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale të Institucionit të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike”, theksoi Topi. Në vlerësimin e kreut të shtetit është koha që të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë dhe të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike. Kjo, nënvizon Topi, do t’i shërbente më së miri interesave madhore dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar!. Edhe ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Wollfarth u shprehën njëzëri se, ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë, në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor. Gjithashtu, të tre ambasadorët shprehën mbështetjen e fuqishme e të palëkundur për presidentin Topi dhe për apelet e tij për respektimin rigoroz të shtetit të së drejtës e të ligjit, çka do i kontribuonte qëndrueshmërisë dhe rikthimit të normalitetit demokratik në vend. Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që trojka e ambasadorëve të akredituar në Tiranë zhvillon takim me kreun e shtetit, Bamir Topi. Ambasadorët kanë konstatuar sakaq se procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende dhe se palët duhet të presin rezultatin final të zgjedhjeve në qetësi. Më herët diplomatët e kishin kërkuar edhe prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të bënte deklarimin e rezultatit të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, në një kohë sa më të shpejtë. Dy ditë më parë ambasadori amerikan Aleksander Arvizu zhvilloi një takim me kryeministrin Sali Berisha dhe në orët e pasdites mbërriti në zyrën e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, në përpjekje për të negociuar mbi situatën e krijuar në vend pas zgjedhjeve administrative të 8 Majit. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›