Takimi, Grossruck uron Berishën për fitoren e Bashës në Tiranë
Kryeministri i njohu miqtë austriakë me potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në fusha si ajo e turizmit, e prodhimit të energjisë elektrike, nga burimet ujore dhe infrastrukturë
TIRANË Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, është i vetmi nga ndërkombëtarët që e uron kryeministrin Sali Berisha, ende pa u shpallur rezultati përfundimtar për Bashkinë e Tiranës. I shoqëruar nga një delegacion intelektualësh e më së shumti biznesmenësh, Grossruck në takimin e zhvilluar me kryeministrin Sali Berisha i ka uruar këtij të fundit fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit që ai drejton, në zgjedhjet 8 Majit. Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, në veçanti Grossruck e ka uruar Berishën për “fitoren Lulëzim Bashës, në Bashkinë e Tiranës”, duke u shprehur njëkohësisht se këto zgjedhje kanë qenë një moment i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri. “Më tej, zoti Grossruck dhe delegacioni që e shoqëronte, i cili përbëhej nga një numër profesionistësh, intelektualësh të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të biznesit austriak, vlerësuan arritjet e jashtëzakonshme të reformave të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe u interesuan për mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për biznesin e huaj dhe investimet. Kryeministri Berisha i njohu miqtë austriakë me potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në fusha si ajo e turizmit, e prodhimit të energjisë elektrike, nga burimet ujore, ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme, si dhe me klimën më të favorshme që qeveria shqiptare ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe për biznesin dhe investimet, si regjistrimi online përmes sistemit One Stop Shop, e-taksa, e-dogana, prokurimet elektronike, etj”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. N.P.