Topi mbyll presidencën në Kosovë

Topi pritet nga Jahjaga
Presidenti i pestë i Shqipërisë pluraliste, e mbyllë mandatin e tij si president me një vizitë të fundit në Kosovë. Edhe pse u flasim vëllezër dhe motra apo një komb, kjo ishte vizita e dytë e Topit si president në Prishtinë, e para ishte në shpalljen e pavarësisë. Edhe vizitat e kryeministrit Berisha, në shtatë vjet pushtet numërohen me gishta. Presidenti Topi pas takimit me presidenten, Atifete Jahjaga, ka mbajtur fjalim në Kuvendin e Kosovës. Duke u shpreh se pavarësia e Kosovës ka sjellë para në rajon, Topi tha se për këtë u duhet shprehur mirënjohje SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së si edhe luftëtarëve për çlirim.
Ju jeni shembulli më i mirë për ti dëshmuar botës demokratike se si një vend i vogël me forcë të madhe morale, ia arriti brenda vetëm një dekade të ndahet nga dhimbjet e të kaluarës, dhe ta transformojë zonën e luftës dhe genocidit serb në një shoqëri të paqes, harmonisë, demokracisë dhe vlerave evropiane. Kosova është shembull i forcës për ndryshim, i fitores së të mirës ndaj të keqes, i vendosjes së drejtësisë historike dhe i nxjerrjes në pah të virtyteve të larta të humanizmit dhe bashkëjetesës paqësore, tha Topi.
Megjithëse zgjedhjet në Serbi u fituan nga Nikolç, i njohur si ultranacionalist, presidenti i Shqipërisë tha se kushdo politikan apo politikë e modeleve ultranacionaliste që mendon e vepron ndryshe, kundër Kosovës dhe projektit evropian të rajonit, natyrisht është i destinuar të dështojë. Duke e konsideruar integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës të paprekshëm, Topi nënvizoi se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë është arritje madhore e institucioneve të Kosovës. Por në fund të fjalës së tij Topi ka kritikuar klimën politike në Kosovë duke hequr paralele me atë në Shqipëri.
Përvoja e vendeve tona ish-komuniste na mësoi se vullneti për ndryshim apo legjislacioni i shkruar nuk mjaftojnë apriori për të krijuar mjedisin cilësor e funksional demokratik. Kemi përgjegjësinë që ta shohim politikën dhe të drejtën e deleguar të vendimmarrjes si katalizator për një politikë sa më qytetare, më transparente, më të besueshme dhe efektive. Demokracinë e mbajnë në këmbë institucionet funksionale dhe besimi i publikut në to, ndaj edhe për arritjen e këtyre kushteve mbetet shumë për të bërë për të luftuar korrupsionin dhe çdo formë tjetër të abuzimit me interesat publike, për rritjen e transparencës dhe dialogut politik, për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe ngushtimin e distancës midis qeverisjes dhe të qeverisurve, u shpreh ai. /F.S/