Topi me Ambasadorët: Për krerët e institucioneve duhet rotacion
Presidenti Bamit Topi zhvilloi sot një takim me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij kreu i shtetit kërkoi forcimin e dialogut politik në Shqipëri ndërsa i bëri thirrje klasës politike të reflektojë dhe të plotësojë të gjitha detyrimet që ka ndaj qytetarëve.
Në këtë fazë të dialogut politik inkurajimi im mbetet shndërrimi i kësaj klime në normalitet demokratik dhe me rezultate konkrete në funksion të detyrimeve kushtetuese dhe interesave madhore të vendit, u shpreh Topi.
Ai theksoi se viti 2012 mbart një specifikë të veçantë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, pasi përkon me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar dhe sfida kryesore është nderimi i merituar i këtij viti jubilar përmes marrjes së statutit të vendit kandidat në BE dhe forcimin e demokracisë funksionale, si një garanci për stabilitet.
Gjatë këtij viti, Shqipëria do të ketë zgjedhjet e reja presidenciale, dhe unë, konfirmoj edhe njëherë se vazhdimisht kam nxitur e mbështetur modelin e rrotacioneve demokratike në krye të institucioneve, ka shtuar Topi.
Kreu i shtetit ka theksuar më tej se Shqipëria është e mbetet një vend me angazhim serioz dhe maksimal në Aleancën e Atlantikut të Veriut, në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet mike në Bashkimin Evropian, në zgjerimin e bashkëpunimit dhe frymës miqësore me të gjitha vendet e rajonit, si dhe në përmbushjen aktive të angazhimeve në organizatat dhe nismat e ndryshme rajonale e më gjerë.